Nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani, deklaroi sot se Qeveria e ardhshme nuk do të investojë më fondet e buxhetit të Kosovës në autostrada të reja, por do të investojë në rritjen e punësimit të të rinjve dhe grave kosovare.
Ajo këto komente i bëri sot gjatë një takimi me përfaqësuesit e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim Mattia Romani, drejtor Menaxhues për Ekonomi, Politika dhe Qeverisje, Oleg Levitin, zëvendësdrejtor për Qeverisje dhe Çështje Politike dhe Neil Taylor, udhëheqës i Zyrës në Kosovë.
Osmani i njoftoi përfaqësuesit e BERZH-it mbi prioritetet zhvillimore të LDK-së të përfshira në programin e përbashkët qeverisës LDK-LVV me përqendrim të veçantë tek investimet në kapitalin njerëzor përmes shëndetësisë, arsimit dhe sektorit privat.
“Nuk do të investojmë më fondet e buxhetit të Kosovës në autostrada të reja por do të investojmë në potencialin e qytetarëve tonë, veçanërisht në rritjen e punësimit të të rinjve dhe grave kosovare”, tha Osmani.
Përfaqësuesit e BERZH-it paraqiten projektet aktuale të tyre në Kosovë në sektorin privat dhe atë publik, duke u zotuar që të thellojnë bashkëpunimin me Qeverinë e ardhshme veçanërisht në infrastrukturë, energji dhe zhvillimin e sektorit privat.
Top Channel