Organizata Botërore ka lëshuar alarmin për vende, të cilat përdorin antibiotikë pa kriter.
Ndër këto vende renditet edhe Shqipëria, ku qytetarët i përdorin antibiotikët si karamele. Për një grip apo grykë të skuqura qytetarët shkojnë në farmaci dhe marrin antibiotikë; apo në rastin më të keq, kur vetë mjekët, në vend të një antibiotiku më të lehtë japin atë të dekadës së fundit. Dhe në fakt nuk bëjnë gjë tjetër veçse krijojnë rezistencë mikrobiale te pacienti.
Antibiotikët prodhohen për të luftuar bakteret dhe nuk ndikojnë aspak te viruset siç është gripi dhe simptomat e tij. Mjekët shpjegojnë se rezistenca mikrobiale krijohet jo vetëm nga konsumi direkt i antibiotikëve, por edhe nga konsumi i mishit, ku është përdorur antibiotik.
Ka ende farmaci që në mënyrë abuzive lëshojnë antibiotikë pa recetë. Por në luftën ndaj rezistencës mikrobiale kërkohet që hartuesit e politikave ta marrin seriozisht.
Çdo vit në Evropë humbin jetën nga infeksionet për shkak të rezistencës mikrobiale 33 mijë persona.
Top Channel