Presidenti Thaçi dhe presidenti Meta, bashkë me kryeparlamentarët Talat Xhaferi dhe Gramoz Ruçi, si përfaqësuesin e DASH-it, Sam Brownback, sot në konferencën “Feja si instrument i paqes” në Tiranë, kanë folur për rëndësinë e forcimit të paqes përmes harmonisë ndërfetare.

Në këtë konferencë, presidenti Thaçi ka thënë se toleranca në mes nesh, si kur bëhet fjalë për besimin tonë në Zot, si në besimin tonë në njeriun, është vlerë pa të cilën nuk mund të ketë paqe në një shoqëri njerëzore.

Ky është fjalimi i plotë i presidentit Thaçi në konferencën “Feja si instrument i paqes” në Tiranë:

Të nderuar të pranishëm,

Është një nocion që është i domosdoshëm kur trajtohen dukuritë e fesë dhe paqes, i cili është një vlerë e përbashkët e tyre.

Kur ky nocion, ky fenomen mungon, gjithçka mëdyshet në një shoqëri njerëzore dhe rrezikohen me themel edhe vetë dukuritë e fesë dhe të paqes dhe ndërlidhja në mes tyre.

Në atë rast, gjithçka mund të kontestohet, të kthehet mbrapsht, të përmbyset.

Në radhë të parë humbet siguria dhe stabiliteti, ndërsa pa të nuk ka liri njerëzore, nuk ka organizim të shoqërisë njerëzore dhe gjithçka vihet në pikëpyetje.

Nocioni dhe dukuria si vlerë e përbashkët për fenë dhe paqen është toleranca.

Toleranca në mes nesh, si kur bëhet fjalë për besimin tonë në Zot, si në besimin tonë në njeriun, është vlerë pa të cilën nuk mund të ketë paqe në një shoqëri njerëzore.

Siç e dimë të gjithë ne që jemi mbledhur sot në Tiranë, vitet e fundit në historinë e njerëzimit pothuajse anekënd botës janë karakterizuar me një shpërthim të mosdurimit, të jotolerancës së të gjitha formave të mundshme politike dhe fetare, si dhe me një mungesë të madhe të gatishmërisë për të kuptuar njeri-tjetrin, pa marrë parasysh përkatësinë kombëtare, fetare, politike, racore dhe për ta pranuar tjetrin, që vetëm në shikim të parë është një i huaj.

E ne të gjithë jemi para Zotit të njëjtë.

Të tillë, të barabartë jemi edhe kur ka paqe dhe mirëkuptim në mes nesh.

Në të kundërtën, kur nuk ka tolerancë politike dhe fetare, tolerancë njerëzore do të thosha, si dhe kur urrejtja e të gjitha llojeve mbizotëron, rrezikohet paqja, keqpërdoret feja me interpretimet më të çoroditura politike në shërbim të qëllimeve ditore politike dhe e gjithë bota kërcënohet të bëhet një lëmsh i madh, me pasoja të paparashikueshme për të gjithë ne.

Ata që nuk mendojnë që të gjithë njerëzit janë të njëjtë dhe të barabartë, ata nuk mund të jenë besimtarë të mirëfilltë dhe ata janë kundërshtarë të mëdhenj të paqes.

Të tillët e rrezikojnë paqen në emër të një feje që nuk ka gjë të përbashkët me librat e shenjtë dhe me besimin e mirëfilltë në Zot.

Po përjetojmë pra kohëra të vështira, problematike, gjithsesi sfiduese dhe asnjëri prej nesh nuk ka të drejtë të heshtë, të mos shfaq mendimet e veta për gjithë këtë rrëmujë politike dhe historike, të mos kërkojë me ngulm mëkëmbjen e tolerancës së gjithanshme si vlerë themelore të fesë dhe të paqes.

Në anën tjetër, në atë trashëgiminë nga e kaluara e secilit prej popujve tanë, mund të gjenden shembujt që vlejnë sot më shumë se më parë sesi duhet të ngadhënjehet ndaj urrejtjes dhe mosdurimit, si duhet rindërtojmë tolerancën dhe mirëkuptimin në mes nesh.

Kombi shqiptar në këtë aspekt ka dhënë dhe jep edhe sot e kësaj dite një shembull shumë pozitiv, shumë të mirë dhe shumë të qëndrueshëm.

Shqiptarët janë të besimit islam dhe të krishterë, janë myslimanë, katolikë dhe ortodoksë, me siguri ka të tillë që janë edhe ateistë. Por, e tëra kjo shumësi identitetesh në raportin tonë ndaj Zotit ka bashkëjetuar në një tolerancë dhe mirëkuptim, që janë vlera tradicionale ndër ne.

Këto vlera tradicionale duhet të ruhen dhe të pasurohen për çdo ditë.

Të nderuara zonja dhe zotërinj,

Më lejoni të flas pak për përvojën e Kosovës me fenë dhe paqen, si dhe të radhis disa të arritura që kemi bërë.

E arritura e parë është që nuk kemi lejuar që në luftën e Kosovës për liri e pavarësi të implikohet feja.

Pra, Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ka lejuar asnjë ideologji fetare të bëhet pjesë e luftës së saj.

Kështu kemi vazhduar traditën e Kosovës, ku asnjëherë nuk kemi pasur konflikt ndërfetar.

Madje, gjatë viteve të luftës, Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ka lejuar që të preket asnjë objekt fetar apo i kultit, i cilitdo religjion që të ketë qenë.

E dyta, Kosova ka përfshirë fenë, liderët fetarë, në përpjekjet për të ndërtuar paqe e mirëkuptim në mes njerëzve, që nga përfundimi i luftës.

Ndër iniciativat e para të mia si President i Republikës së Kosovës ka qenë themelimi i Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin.

Ndër përkrahësit e parë dhe kryesorë të kësaj iniciative kanë qenë pikërisht liderët fetarë në Kosovë, të të gjitha përkatësive religjioze.

Kjo përkrahje vazhdon, ndërsa roli i bashkësive fetare do mbetet thelbësor për pajtimin ndëretnik, për forcimin e paqes dhe rritjen e tolerancës në Kosovë.

E treta, udhëheqësit fetarë në Kosovë kanë ndërtuar ura komunikimi dhe bashkëpunimi në mes tyre.

Ata, përveç që takohen në festa, bëhen bashkë edhe në takime të rregullta në të cilat flasin për sfidat dhe kërkojnë rrugë për thellimin e bashkëpunimit në mes tyre.

Kështu dërgojnë mesazhin e tolerancës dhe bashkëjetesës dhe vendosin fenë në shërbim të paqes në Kosovë.

Edhe në Kosovë jemi përballur me sfidën e elementeve të ekstremizmit dhe radikalizmit. Por, si shoqëri, si shtet, kemi reaguar menjëherë.

Kemi ndërtuar legjislacionin që ndalon jo vetëm përhapjen e urrejtjes fetare, por edhe pjesëmarrjen në luftërat jashtë Kosovës.

Janë marrë masa kundër atyre që kanë nxitur urrejtje, por edhe që kanë marrë pjesë në luftërat e huaja.

Institucionet e Kosovës tani janë duke punuar me ata që kanë shkuar në këto luftëra, por janë penduar dhe kanë kërkuar të kthehen.

Së bashku me komunitetin fetar po punojmë në kthimin dhe risocializimin e të kthyerve.

Zonja dhe zotërinj,

Siç e theksova më parë, edhe sot sikur në të kaluarën, mbajtja gjallë e frymës së tolerancës dhe mirëkuptimit është sfidë dhe do të mbetet edhe në ardhmen.

Për t’i forcuar këto vlera, për ta fuqizuar lidhjen në mes të fesë dhe paqes, do të flitet edhe në këtë konferencë.

Këtu nuk kemi zgjedhje dhe as alternativë tjetër.

Këtu nuk kemi të bëjmë me pluralizëm, me demokraci, me përplasje mendimesh të lira.

Të gjithë ne që kemi sadopak përgjegjësi, në politikë, në fe, në jetën publike, duhet gjithmonë ta kemi një mendim të qartë dhe një porosi që nuk guxon të komprometohet.

Toleranca në mes nesh është vlera pa të cilën nuk mund ta ndërtojmë shoqërinë që është në paqe me veten dhe me Zotin.

Ju faleminderit!

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA