Për ndeshjen Shqipëri-Francë janë marrë masa sigurie të larta, ku nuk lejohen fishekzjarret dhe kapsollat.

Si rezultat i masave të marra, Policia Kufitare e Morinës gjatë kontrollit të ushtruar së bashku me autoritetin doganor në autobusin me drejtues shtetasin kosovar B. M, gjeti një çantë shpine me fishekzjarrë dhe kapsolla, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Në këtë autobus udhëtonin në mënyrë të organizuar shtetas kosovarë për të marrë pjesë në ndeshjen e futbollit Shqipëri-Francë.

Policia bën me dije se kontrollet e rrepta do vijojnë në të gjitha pikat e kalimit kufitar, dhe në çdo ambient ku dyshohet se mund të ketë fishekzjarre dhe kapsolla, si dhe për elementë me precedent kriminal që mund të tentojnë për të hyrë në stadium.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, gjatë takimit të bërë paradite me grupin e punës për menaxhimin e masave të marra për mbarëvajtjen e aktivitetit ndërkombëtar, kërkoi nga të gjitha strukturat e Policisë , angazhim, seriozitet, përkushtim për përmbushjen e detyrave .

Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e tifozërisë dhe sportdashësve që të respektojnë me rigorozitet gjithë udhëzimet e dhëna nga Policia dhe Federata e Futbollit, dhe të mos tentojnë për të futur në stadium sende të kundërligjshme pasi do përballen me pasojat ligjore.

Top Channel