Autori më i mirë i vitit 2019 shpallet zoti Besnik Mustafaj, me romanin “Dëmtuar gjatë rrugës”, me këtë motivacion:
Për përshkrimin plot realizëm dhe ironi të hollë të një periudhe dramatike, ende të pranishme dhe të gjallë në mendjet e njerëzve; ravijëzimin plot ritëm poetik, estetik dhe të besueshëm të personazheve dhe rrëfimin transparent të zvetënimit të individit në një shoqëri totalitare.
Përkthyesi më i mirë i vitit 2019 shpallet zoti Korab Hoxha për përkthimin e vëllimit me poezi, ese dhe proza të shkurtra të shkrimtares ruse Marina Cvetajeva, “Tetori në vagon”.
Me këtë motivacion:
Forca e mrekullueshme e mesazheve poetike dhe filozofike të njërit prej zërave më të rëndësishëm të letërsisë botërore të shekullit XX, është përcjellë në mënyrë mjeshtërore dhe me një shqipe të pasur, pa humbje në origjinalitetin dhe bukurinë e vargut.
Autori më i mirë i prozës memorialistike shpallet zoti Lekë Tasi me librin e tij “Grabjani rrëzë kodrave”, me motivacionin
Për sensibilitetin dhe mesazhin e prozës së tij në përshkrimin plot vërtetësi tronditëse të ngjarjeve dhe njerëzve, përmes shquarjes së njerëzores nën terrin e diktaturës.
Top Channel