Kuvendi shpërndahet me një dekret/ Reagimi i ashpër i Presidentit: Mos prekni Gjykatën Kushtetuese

15/11/2019 15:08

Përplasja e ashpër mes mazhorancës dhe Presidentit ka arritur pikën më kulmore të saj për emërimin e anëtarëve të Kushtetueses.

Në një kohë kur socialistët diskutonin rezolutën kundër tij, Ilir Meta me tone ultimative kërcënonte fare pak metrat larg godinës së Kryeministrisë me shpërndarjen të Parlamentit.

“Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, ka vetëm një garant të padiskutueshëm dhe të pacenueshëm në integritetin e vet, që është Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë! Askush të mos guxojë të përdhosë Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë! Parlamenti me një dekret shpërndahet! Qeveria me një mocion mosbesimi rrëzohet! Presidenti, me një “impeachment” nga një parlament, jo nga ky, përsëri shkarkohet nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë”, ka thënë Presidenti Meta.

Deklarata e presidentit u komentua me tone të forta ironie nga disa deputet socialist.

Por, kryetari i shtetit nuk ka të drejte të shpërndajë Parlamentin. Pyetja mbetet cili do të jetë hapi i radhës i Presidentit.

“Secili të shikojë detyrën e vet, të zbatojë kompetencat e veta! Veprimet nga Presidenti do të vazhdojnë të jenë institucionale. Dhe në momentin e duhur Presidenti do t’i drejtohet popullit dhe gjithë botës për të mbrojtur demokracinë për interesin e popullit shqiptar, që është dhunuar në mënyrën më barbare, sidomos në këto dy vite kur u la qëllimisht edhe pa Gjykatë Kushtetuese”, shprehet Meta.

Arta Vorpsi dhe Marsida Xhaferllari të emëruara për të njëjtën vend pune hynë nga e njëjta derë mëngjesin sot, por njëra prej të dyjave duhet të dalë prej andej si e tepërt për këtë post.

Elda Menga

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA