Aksident i rëndë në Indi, treni me pasagjerë përplaset me atë të mallrave, 11 viktima dhe dhjetëra të plagosur
Në Komisionin për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian ka nisur seanca dëgjimore, ku duhet të konfirmohet kandidati për Komisioner të Fqinjësisë dhe Zgjerimit, Oliver Varhelyi nga Hungaria.
Ai është kandidati i dytë nga ky shtet, pasi Laszlo Trozscanyi ishte refuzuar për këtë pozitë, për shkak të problemeve me konflikt interesi. Varhelyi, i cili është ambasador i Hungarisë në Bashkimin Evropian, ka thënë se Ballkani Perëndimor do të jetë prioritet nëse ai konfirmohet Komisioner i Zgjerimit.
Në fillim të seancës dëgjimore ai ka thënë se duhet punuar që të arrihet pajtim për nisjen e negociatave për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, një vendim që nuk u arrit në samitin e fundit të BE-së. Sipas Varhelyi, rajoni i Ballkanit Perëndimor dhe procesi i zgjerimit me këtë rajon duhet të jetë prioritet, ndërkohë që metodologjia në procesin e zgjerimit duhet të përshtat në mënyrë që ky proces të jetë me një dinamikë më të shpejtë.
“Duhet ta bëjmë BE-në më funksionale, por kjo nuk duhet ta pengojë procesin e zgjerimit”, ka thënë ai.
Kandidati për Komisioner të Zgjerimit, Oliver Varhelyi ka paralajmëruar dhe një agjendë ambicioze sa i përket dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, proces të cilin, deri më tash e ka lehtësuar Bashkimi Evropian.
“Unë do të punojë së bashku me (Përfaqësuesin e lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri) për të sjellë dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës në përmbyllje të suksesshme në vitin 2020”, ka thënë ai.
Top Channel