Fati i rreth 800,000 imigrantëve të rinj, pa dokumente, të cilët u sollën në Shtetet e Bashkuara në moshë të mitur është në duart e nëntë anëtarëve të Gjykatës së Lartë.
Gjykata do të vendosë nëse administrata e Presidentit Trump ka të drejtë të ndërpresë programin DACA, i cili mbron nga dëbimi imigrantët e rinj, të njohur si ëndërrimtarët.
Për shumicën e tyre, Shtetet e Bashkuara janë i vetmi vend që njohin dhe ata protestojnë kundër humbjes së statusit të tyre të mbrojtur. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Zlatica Hoke, Gjykata e Lartë amerikane dëgjoi të martën argumente nga të dyja palët.
Protestuesit u mblodhën jashtë Gjykatës së Lartë për t’u bërë thirrje gjykatësve që të shpallin të paligjshëm vendimin e Presidentit Trump për t’i dhënë fund programit DACA. Studenti i mjekësisë, Cirenio Cervantes, i lindur në Meksikë, ishte në mesin e protestuesve.
“Kur presidenti ndërpreu programin DACA, të gjitha ëndrrat e mia morën fund. Unë kam punuar shumë gjatë gjithë jetës sime, dhe kur presidenti i dha fund programit DACA, ai në thelb tha se e ardhmja ime nuk ekziston.”
Grupet e të drejtave të emigrantëve thonë se do të luftojnë për atë që është e drejtë, pavarësisht nga vendimi i gjykatës.
“Ne e dimë që nuk mund të presim asgjë pozitive nga kjo administratë. Por gjithashtu e dimë se komuniteti i imigrantëve është i fortë. Është një forcë që rezonon në vend”, thotë Omar Angel Perez i organizatës Congregation Action Network.
Anëtarët konservatorë të gjykatës pritet të hedhin poshtë tërë programin mbi premisën se ai fillimisht është krijuar në mënyrë të paligjshme, që është edhe argumenti i administratës. Por sfiduesit, veçanërisht kompania Microsoft dhe Universiteti Princeton, duan të përqëndrohen në rëndësinë e mbrojtjes së këtyre të rinjve.
“Është e rëndësishme për Microsoft-in për të njëjtën arsye që është e rëndësishme për një numër të madh punëdhënësish në të gjithë vendin, përfshirë Universitetin Princeton. Ne varemi nga këta njerëz. Ne varemi nga ëndërrimtarët. Ne kemi 66 ëndërrimtarë të punësuar, të cilët bëjnë
punë të rëndësishme për ne.
Ne vlerësojmë rolin që ata luajnë jo vetëm për ne, por edhe për nxitjen e inovacionit në këtë vend, duke e bërë ekonominë konkurruese. Ne vlerësojmë edhe aspektin njerëzor të kësaj çështjeje, veçanërisht kur kemi të bëjmë me njerëz që kanë ardhur këtu në një moshë kaq të re, të cilët nuk njohin asnjë vend tjetër, të cilët meritojnë të qëndrojnë dhe po shtojnë forcën e këtij vendi”.
Disa ekspertë juridikë thonë se Kongresi, dhe jo gjykatat ose presidenti, duhet të përcaktojnë fatin e programit DACA.
“Edhe kur u vu në zbatim për herë të parë në vitin 2012, Presidenti Obama pranoi se kjo ishte një masë e përkohshme, se ky nuk ishte një program pa fund, dhe se synimi i tij ishte për t’i dhënë Kongresit më shumë kohë për të vendosur. Kongresi nuk e ka bërë këtë”, thotë Elizabeth Slattery e Fondacionit Heritage.
Administrata e Presidentit Trump njoftoi për herë të parë planin për t’i dhënë fund programit DACA në shtator të vitit 2017. Plani u bllokua nga disa gjykatës në gjykatat federale dhe të apelit. Që atëherë, Departamenti i Drejtësisë ka bërë përpjekje për ta çuar çështjen në Gjykatën e Lartë, por pa sukses./VOA
Top Channel