Kombëtarja shqiptare do të mbyllë kualifikueset e Euro 2020 me sfidën ndaj Francës, një ndeshje kjo që ka fituar shumë vëmendje jo vetëm për emrin e kundërshtarëve, por edhe për faktin se me këtë ndeshje do të bëhet përurimi i stadiumit të ri “Arenës Kombëtare”.
Është ky një event që ka tërhequr vëmendje të madhe edhe në median italiane. janë të përditshmet “Corriere Dello Sport” dhe “Tuttosport” ato që i kanë dedikuar nga një faqe përurimit të impiantit të ri të kombëtares shqiptare duke mos i kursyer aspak elozhet për të, madje arrijnë të bëjnë krahasime me stadiume me peshë në futbollin botëror. “Corriere Dello Sport” publikon artikullin e saj me titullin: pritje e madhe në Tiranë, përurohet stadiumi i ri me Ceferin dhe Francën ndërkohë që në brendësi të saj arriti deri aty sa e krahasoi impiantin me stadiumin e Boca jr, Bombonera.
“Mbrëmje gala dhe pritje e madhe për përurimin e stadiumit të ri, një xhevahir i tipit Bombonera që u ndërtua në qytet mbi hirin e stadiumit të Vjetër “Qemal Stafa”-theksohet te artikulli i kësaj të përditshmeje që nuk harroi pa përmendur entuziazmin e rikthyer te skuadra jonë kombëtare me ardhjen e Edi Rejës, edhe pse tashmë është vonë për çështjen e kualifikimit
Ndërsa e përditshmja “Tuttosport” shkon edhe më tej dhe nuk ndalet vetëm me krahasimin me Bombonerën, por e krahason atë edhe me stadiumin mitik të Londrës, Wembley
“Wembley i Ballkanit po pagëzohet-është titulli i kësaj të përditshmeje-është Arena Kombëtare që të kujton Bombonerën për organizimin e tribunave”.
Fjalët e mira u thanë, tani u takon futbollistëve kuqezi që të bëjnë përurimin perfekt të stadiumit të ri prej 22 mijë vendesh e për më tepër në sytë e të gjithë Evropës.
Top Channel