Vendas e turistë janë bërë bashkë në Guatemala e kanë lëshuar në breg të detit breshka të vogla, duke u kujdesur që ato të lihen të lira në natyrë e të mos ngordhin përpara se të mbërrijnë ujin.
“Speciet riprodhohen, kemi nga të gjitha llojet breshka deti, iguana, aligatorë, e pastaj lihen të lirë në mënyrë që të rriten e të shtohen. Verën e kaluar, lëshuam 75000 breshka të vogla.”tha një punonjës.
Mjaft familje i janë bashkuar kësaj nisme e cila jo vetëm është argëtuese për ta dhe fëmijët, por është dhe një ndihmë e vyer për organizatat e mbrojtjes së kafshëve e komunitetet që janë angazhuar t`i mbrojnë këto krijesa. Punonjësit i marrin vezët kur ato sapo janë lëshuar dhe i vendosin në inkubatorë për t`i mbrojtur nga grabitqarët.
Kur vezët çelin, organizatat shesin bileta në breg të detit. Me një biletë, njerëzve u lejohet të marrin në dorë breshkat e vogla, e ti lëshojnë drejt ujit, ndërkohë që kanë mundësi edhe të mësojnë diçka më shumë rreth tyre.
Kjo është një mënyrë për të mbledhur fonde me qëllimin që të financohen në vazhdimësi përpjekjet e mbrojtjes.
Top Channel