Rama, intervistë për revistën italiane: Ja përse Shqipëria mund të ndihmojë vendin tuaj

13/11/2019 18:20

Edi Rama sapo ka mbaruar një takim me kryeministrin Giuseppe Conte.

Duket i lodhur, por mjaftueshëm i kënaqur: “E di se ku do të dalësh duke më pyetur se si m’u duk kryeministri juaj… Por, nuk folëm për politikën italiane. Megjithatë, Conte nuk m’u duk në vështirësi, ishte shumë mirë”, konfirmon Rama në mënyrë diplomatike.

Dhe pastaj hyn menjëherë në temë.

“Çështja e Shqipërisë në Këshillin Europian ishte një goditje e rëndë. Këshilli nuk i mbajti premtimet e bëra. Kurse Conte ishte fantastik në mbrojtjen e interesave strategjike të Europës në Ballkanin Perëndimor dhe në mbrojtjen e vetë Europës nga indiferenca që ndonjëherë e dallon”. Kështu nis shkrimi i revistës italiane “ Panorama“, e cila e ka intervistuar kryeministrin shqiptar.

Artikulli, i parë nga ATA, tregon sesi shefi i ekzekutivit shqiptar flet për një zhgënjim të dukshëm nga mosçelja e negocjatave.

“Nuk është se nuk e kisha menduar këtë pengesë“, ka thënë Rama.“ Pjesërisht, e prisja. Por, nuk është asnjëherë, as e bukur dhe as e thjeshtë, të jetosh me ndjesinë e plotë se je tallur. Në çdo rast, siç e përsëris gjithmonë, duhet të vazhdojmë në të njëjtin drejtim, pasi nuk ka alternative të tjera përveç se një Shqipërie europiane. Mbetet detyra jonë përballë brezave që do të vijnë“. Kryeministri shpjegoi më tej se me homologun Italian kanë diskutuar edhe rritjen eksponenciale të turistëve italianë në Shqipëri, nevojat e 31 000 sipërmarrësve shqiptarë aktivë ne vendin fqinj si dhe mënyrat për harmonizimin e sigurimeve shoqërore për 100 mijë shqiptarë që kontribuojnë në buxhetin e Italisë.

Emigracioni shqiptar në Itali është pjesë e një historie me një fund të lumtur, tha Rama, që ka shndërruar një popull “pushtues pa këpucë dhe me stomakun bosh” në një masë të rëndësishme kontribuesish për ekonominë italiane, që më pas solli zhvillim edhe në Shqipëri.

Top Channel