Ndeshja me Anglinë, Dardanët me sloganin: “Welcome and Respect”

12/11/2019 14:19

Dardanët kanë mbajtur sot konferencë për media para dy ndeshjeve të rëndësishme të Kosovës në kualifikimet për Euro 2020.Kryetari i tifo-grupit “Dardanët”, Lulzim Berisha, tha se janë bërë të gjitha përgatitjet para ndeshjeve me Çekinë dhe Anglinë, dhe sipas tij slogani zyrtar do të dalë pikërisht nga grupi i Dardanëve.

“Mendoj që prej këtu duhet dal slogani për pritjen e anglezëve. Ne e kemi marrë një iniciativë për shkak të rëndësisë së ndeshjes që do të zhvillohet. Ne e kemi organizuar dhe do të dalim me një slogan zyrtar nga Dardanët. Për këtë kemi një bashkëpunim të mirë me komunën e Prishtinës”, tha Berisha.

Vjosa Berisha anëtare e grupit të femrave të Dardaneve tregoi më shumë rreth sloganit të cilin do të publikojnë disa ditë para ndeshjes të së dielës.

“Welcome and respect është slogani i mikpritjes së Anglisë. Këtu përfshihen shumë aspekte. Normalisht mikpritja që është virtyt tradicional i Kosovës. Vendi jonë ka marrë shumë përkrahje nga Anglia në shumë aspekte por edhe në pavarësinë e Kosovës. Ky mesazh do të vijë edhe në kuadër të racizmit, për nder të lojtarëve me ngjyrë të Anglisë të cilët janë abuzuar shumë në ndeshjet tjera”, tha Berisha.

Zëdhënësi i Dardanëve, Berat Buzhala u shpreh se janë përgatitur maksimalisht dhe shpreson që asgjë e keqe nuk do të ndodhë.

“Ne jemi përgatitur maksimalisht për këtu. Jemi të bindur që nuk do të ndodhë asgjë e keqe. Kërkojmë nga ju që të shpërndahet sa më shumë ky slogan”, tha Buzhala.

Ndërsa Ardian Berisha, koordinator i eventeve kulturore sportive nga Komuna e Prishtinës, konfirmoi bashkëpunimin për këto dy ndeshje të Kosovës.

“Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me Dardanët dhe FFK fillimisht do ta transmetojnë ndeshjen ndaj Çekisë dhe më pas do të dalin me sloganin zyrtar. Do të këtë aktivitete të ndryshme për mikpritjen e tifozëve të Anglisë dhe më pas do të transmetohet edhe ndeshja ndaj Anglisë ku shpresojmë që do të festojmë edhe kualifikimin për Euro 2020”, tha Berisha.

Fatmir Spahiu u shpreh se me kënaqësi e kanë pranuar ftesën për bashkëpunim nga kryetari i Dardanëve.

“Ky grup që po e shihni para jush është vetëm një pakicë e atyre që janë angazhuar të japin një mikpritje të mirë për tifozët anglezë. Ne e dimë për një marrëdhënie speciale dhe falënderuese që kemi ndaj Anglisë. Ne e kemi pranuar me kënaqësi ftesën e kryetarit të Dardanëve për të bërë një pritje madhështore për tifozët dhe kombëtaren e Anglisë”, u shpreh Spahiu.

Kosova të enjten zhvillon ndeshjen si mysafir ndaj Çekisë, ndërsa të dielën e pret Anglinë në Prishtinë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA