Kay Wilson sapo është transferuar në Los Angeles, qyteti i ëndrrave të saj, dhe e konsideron veten me fat: parukierja 26-vjeçare ka gjetur një vend për të jetuar me të njëjtin çmim me studion që ajo kishte marre me qira në Pensilvani.

Problemi i vetëm është se Kay fle brenda një shtëpize me një sipërfaqe jo më të madhe se 3 metra katrorë. Kjo banesë-kapsulë është frymëzuar nga hotelet e famshme minimaliste në Japoni.

“Kjo është banesa ime, këtu fle e këtu kam pak a shumë të gjithë jetën time, në këtë kuti të vogël. Por ajo ka praktikisht çdo gjë që më nevojitet si e porsaardhur në një qytet si Los Angeles-i. Hoqa dorë nga privatësia ime, shita gjithë çfarë kisha që të zhvendosesha këtu. Deri sa të arrij ato që dua jam gati të heq dorë edhe nga hapësira e rehatia ime. Do të përpiqem ta gjej rehatinë edhe në këto kushte”, shprehet Wilson.

Këto të ashtëquajtura “banesa kapsula” përbëjnë ende një pjesë të vogël të strehimit në këtë qytet, megjithatë ato kanë nisur të shfaqen ngadalë e në heshtje në të gjithë lagjet e tij. në mesin e një krize të shtëpive të përballueshme, ato po shihen gjithmonë e më shumë si një mundësi, në disa raste, edhe afatgjatë strehimi. Jetesa në kapsulë sigurisht nuk është për të gjithë, por ajo ka tërhequr vëmendjen e atyre që nevoja financiare i shtyn të jenë të hapur ndaj idesë së një zgjidhjeje, qoftë edhe të përkohshme të problemit të tyre.

Top Channel