Mali i zi blen autoblinda amerikane/ Kontingjenti i parë me “Hummer” vitin e ardhshëm

11/11/2019 13:28

Gjatë vizitës së fundit të ministrit të Jashtëm amerikan Mike Pompeo në Podgoricë u nënshkrua një marrëveshje me Malin e Zi për blerjen e 67 automjeteve të blinduara amerikane, në vlerë prej rreth 36 milionë dollarësh.

Kjo ishte blerja e parë e automjeteve të tilla për nevojat e Ushtrisë malazeze në 40 vitet e fundit. Fjala është për automjetet e njohura si “Hamer”, të kompanisë së njohur amerikane “Oshkosh”. Kontigjenti fillestar vjen vitin e ardhshëm dhe Mali i Zi do të jetë vendi i parë evropian, i cili do të ketë në dispozicion automjete të tilla.

“Këto mjete paraqesin një përparim të madh në modernizimin e Ushtrisë malazeze. Forcat tona këmbësore do të arrijnë fale tyre nivelin e domosdoshëm përgatitor për stërvitje, lëvizje, mbrojtje… Përgatitjet që po bëjmë në harmoni me përgatitjen e forcave tjera të NATO-s“, thanë për Deutsche Wellen përfaqësuesit e Ministrisë së Mbrojtjes.

Kjo është porosia e dytë e madhe e Malit të Zi që prej futjes së këtij vendi në NATO. Vitin e kaluar, ai bleu nga Kanadaja tre helikopterë, në vlerë prej 30 milionë dollarësh. Blerje të tilla më parë kanë qenë të paimagjinueshme për vendin e vogël ballkanik. Me përpara, gjithmonë theksohej se ushtria malazeze është e vogël dhe jo e pajisur mire. Por pas hyrjes në NATO, vendi ka ndarë vitin e kaluar 20 milionë euro për buxhetin e mbrojtjes ne 2018-ten, e këtë shume, planifikon ta dyfishoje vitin qe vjen. Por edhe më shumë se kaq. Në Ministrinë e Mbrojtjes thonë, se dy vitet e fundit kanë marrë donacione të shumta nga SHBA, në fushën e komunikimit e te mjekësisë. Ndërsa Gjermania i ka dhënë Malit të Zi edhe gjashtë automjete të blinduara për patrullime, të tipit Mercedes Benz. Donacioni më i madh do të vijë më vonë – një radar i kalibrit të madh, me të cilin Mali i Zi mund të vëzhgojë hapësirën e vet ajrore. Për momentin hapësira ajrore e Malit të Zi kontrollohet nga avionët e vendeve anëtareve të NATO-s: Italisë dhe Greqisë. Mali i Zi pret që ky radar të instalohet deri në vitin 2021.

Top Channel