Ish-ambasadorja Nikki Haley kritikon shkarkimin e Trump

11/11/2019 16:49

Nikki Haley, ish ambasadorja amerikane në OKB i ka kritikuar procedurat e shkarkimit ndaj Presidentit Donald Trump.

Duke folur për rrjetin televiziv amerikan CBS për librin e saj të ri, të titulluar, “Me gjithë respektin e duhur”, Haley preku dhe çështjen e ditës në politikën amerikane, e tha se “impeachment-i” është “si dënimi me vdekje për zyrtarët publik”, dhe ish shefi i vet, nuk e meriton sipas saj një gjë të tillë.

“Çfarë, do të shkarkoni një president pse kërkoi një favor që në fakt, nuk ndodhi? Kur shikon transkriptet, nuk ka asgjë aty që të paralajmërojë “dënimin me vdekje” për presidentin. Ukrainasit nuk e bënë kurrë hetimin dhe presidenti i bëri dosjet publike. E kur i shikon mirë ato dokumente, zbulon se aty nuk ka asnjë bazë për shkarkim”, shprehet Nikki Haley.

Demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve kanë filluar një fazë të re në hetimet për Presidentin Trump ndërsa këtë javë pritet të ketë një raund dëshmish publike me pjesëmarrjen e zyrtarëve nga administrata aktuale dhe ajo e kaluar.

Dëshmitarët e thirrur do të ofrojnë një pamje të detajuar, për siç thuhet ftesën e pretenduar të Presidentit Trump për ndërhyrjen e huaj në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020. Në shënjestër janë përpjekjet e Trump që Ukraina të hetonte një prej rivalëve të tij demokratë për zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, ish-nënpresidentin Joe Biden, në një kohë kur kreu i shtetit kishte bllokuar përkohësisht një ndihmë ushtarake prej 391 milion dollarësh për Kievin.

Irida Vasia

Top Channel