“Të kisha premtuar se do të ktheheshe në shtëpi. Tani je i rritur, thuajse je bërë burrë”.

Me këto fjalë, dukshëm i mallëngjyer, babai i Alvinit, Afrim Berisha, e ka pritur të birin. Pranë tij, edhe motrat më të mëdha, që në momentin e përqafimit i kanë dhënë lodrat e tij të dikurshme… Ky është një fund i lumtur, por kthimi në shtëpi nuk ka qenë aspak i lehtë.

Maria Josè Falcicchia, që ka shoqëruar Alvinin për në shtëpi, rrëfen se në fillim, vogëlushi që tashmë nuk flet më italisht, por vetëm arabisht dhe pak shqip, ishte pak dyshues, por më pas, vetëm ka buzëqeshur. Në hotel, kur mbërritën në Damask, nuk donte të flinte, por të luante.

“Ta gjenim Alvinin dhe ta kthenim në shtëpi, tek babai dhe motrat, nuk ishte aspak e lehtë, por ne në përfundim, mundëm ta ndihmonim të Afrimin, të mbante premtimin që i kish dhënë të birit dhe ne mbajtëm premtimin që i kishim dhënë atij…”, shprehet ajo.

Marco Rosi, komandant i repartit antiterrorizëm të karabinierëve, tha se e ëma pasi ishte bërë një luftëtare e huaj në radhët e ISIS përveçse i kish’ ndryshuar emrin të birit, duke e quajtur Jusuf, kishte punuar që ai të harronte italishten dhe të fliste vetëm arabisht. Ajo ishte martuar sërish me një luftëtar tjetër dhe donte në thelb që i biri të harronte të shkuarën në Itali.

“Më bëri më shumë përshtypje, kur Alvini mbeti i habitur kur hymë në Damask, shikonte gjithmonë rreth e rrotull, pasi ishte mësuar në kamp. Ai reagonte ndaj gjithçkaje që ishte e re për të”, u shpreh Francesko Ricca, president i Kryqit të Kuq italian.

Tani në Al Hol, ka edhe fëmijë të tjerë në moshën e Alvinit. Dhe shpresat për shpëtimin e tyre, pas Alvinit janë më të mëdha se kurrë.

Top Channel