Përpjekja serbo-ruse për ta penguar Kosovën po vazhdon me intensitet të lartë. Përveç lobimit për tërheqjen e njohjeve të Kosovës në shtete të ndryshme, tashmë agresioni serbo-rus është drejtuar në institucionet më të larta evropiane.

Anëtari i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, rusi Aleksey Vladimirovic Kondratjev (Алексей Владимирович Кондратьев) është njëri nga kandidatët e këtij institucioni evropian për raportues për Kosovën.

Kondratjev, i cili në mars të këtij viti në Beograd e quajti Kosovën “zemër të Serbisë”, ka gjetur përkrahjen e Serbisë që ta fitojë këtë kandidaturë.

Sipas të dhënave të biografisë së Aleksey Kondratjevit, ai ka background të inteligjencës, përkatësisht është kolonel shërbimit të inteligjencës ushtarake e njohur si GRU.

Përveç mbështetjes së Serbisë, Kondratjev ka edhe përkrahjen e sekretares së përgjithshme të Këshillit të Evropës, kroates së njohur për afërsi me serbët, Marija Pejcinovid Burid.

Në MPJ nuk ka folur askush zyrtarisht për këtë çështje, por burime në ministri thonë se kjo është një përpjekje se Serbisë për ta penguar Kosovën në integrimin në institucionet evropiane, krahas lobimit të fuqishëm që po bëhet për tërheqjen e njohjeve të Kosovës nga shtete të ndryshme. Burimi zyrtar brenda MPJ ka thënë se po e përcjellin me kujdes të shtuar procesin e përzgjedhjes së raportuesit të ri për Kosovën në Këshillin e Evropës.

“Kandidati i delegacionit rus në Këshillin e Evropës (Aleksey Kondratyev), për Republikën e Kosovës nuk mund të jetë as i pranueshëm dhe as i besueshëm, duke e ditur qëndrimin e Rusisë dhe qëllimet e saj obstruktive karshi pavarësisë dhe shtetit të Kosovës. Këshilli i Evropës është një organizatë e shteteve evropiane, e themeluar me qëllim për të arritur një bashkim më të madh midis vendeve anëtare mbi bazën e traditave të tyre të përbashkëta të lirisë politike. Fakti që edhe Rusia është anëtare, nuk duhet lejuar që Këshilli i Evropës të udhëhiqet dhe nëpërkëmbët nga ndikimi rus, aq më tepër kur dihet që shumica e shteteve anëtare të këtij Këshilli e kanë njohur pavarësinë e Kosovës”, thonë në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës.

Ndërsa Fehmi Kajtazi, ekspert i çështjeve të sigurisë thotë se “zgjedhja eventuale e një raportuesi për Kosovën të Asamblesë Parlamentare të këtij këshilli nga Federata Ruse, në këtë rast, përmendja e kandidaturës së zotit Vlladimir Kondratjev mund të debalancojë politika e KE në raport me Kosovën. Aq më tepër nëse zgjedhja e tij eventuale korrespondon me kohën e një politike agresive të Serbisë në planin ndërkombëtar, do t’i vështirësonte Kosovës rrugën e integrimeve Euroatlantike dhe njohjet që pritën të përmbyllin shtetësinë e Kosovës”.

“Aq sa njohim trashëgiminë politike të Vlladimirovic Kondratjev, kemi të bëjmë me personalitet i cili ka qasje armiqësore në drejtim të shtetësisë së Kosovës, dhe kjo nuk ka si të jetë ndryshe, pasi shteti që ai përfaqëson ndjekë këtë politikë. Sido që të jetë, shpresojmë se kundërpesha e veprimeve në KE është në anën tonë, pasi shumica e shteteve kanë njohur Kosovën. Në anën tjetër zgjedhjen eventuale të Vlladimirovic Kondratjev si raportues, Kosova mundet ta amortizoj nëse zgjedh një ministër të punëve të jashtme kredibël, dhe nëse Qeveria e ardhshme fillon të rris trendët e zhvillimit ekonomik, funksionimin e rendit dhe ligjit, luftën kundër korrupsionit”, thotë Kajtazi.

Si anëtar i Këshillit Federal të Rusisë për Mbrojtje dhe Siguri, Kondratjev ngriti zëri vazhdimisht kundër intervenimit të NATO-s në Kosovë, intervenim ky që u bë për ta mbrojtur popullin e Kosovës nga gjenocidi që po e kërcënonte. Ueb-sajti i Këshillit të Evropës ofron një dokument i cili thekson Deklarimin e Interesave të cilin secili anëtar i Parlamentit të Këshillit të Evropës (PACE) duhet ta plotësoj me të marrë pozitën.

Kondratyev, nën pikën “i” të këtij dokumenti, ka deklaruar se ai nuk ka “interesa relevante” që mund “të ndikojnë performacën e tij detyrat e Asamblesë Parlamentare, në veçanti si Reporter ose anëtar i një misioni monitorues të zgjedhjeve”.

Deklaratat publike të tij sugjerojnë që kjo nuk ishte një deklaratë e sinqertë derisa ai qartazi maskon animet personale e që padyshim do të ndikonin performancën e detyrave të tij si raportues për Kosovën.

Caktimi eventual i tij në këtë detyrë do ta minonte dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Anëtar i Partisë “Rusia e Bashkuar”, Kondratjev, si pjesë e mekanizmit të Putinit për influencën malinje ruse në Evropë, ka lidhje të gjera edhe me diktatorin sirian Bashar Al Asadin.

Rusët kanë qenë pjesë e kontingjentit të KFOR-it dikur në Kosovë. Pavarësisht faktit që nuk gjetën asnjëherë mikrpritje te qytetarët e Kosovës, rusët qëndruan në Kosovë deri në vitin 2003. Kandidati rus Aleksej Kondratjev ishte njëri nga ta që shërbeu brenda vitit 2001 në Kosovë.

Influenca malinje ruse në rajon është duke u rritur çdoherë e më shumë, veçmas duke përdorur punëtorët e inteligjencës ruse në detyrë apo edhe ata që dikur kanë qenë pjesë e saj.

Javën e kaluar Bullgaria dëboi sekretarin e parë të ambasadës ruse në Sofje, sepse i njëjti vepronte si spiun i GRU-së. Vladimir Rusjajev kishte provuar që ta rekrutonte drejtorin e shërbimit të inteligjencës bullgare, deklaroi kryeministri bullgar Bojko Borisov.

Presidenti rus Vladimir Putin pa turp ka pritur dhe dekoruar Nikolai Malinovin, edhe pse prokuroria bullgare e ka akuzuar për spiunazh. Viktima të influencës ruse me qëllim të nënshtrimit të shteteve deri në vazalitet ndaj Rusisë në forma të ndryshme dhe kohë të ndryshme kanë qenë edhe Mali i Zi, me përpjekjen për grushtet në Podgoricë si dhe Republika e Maqedonisë Veriore, ku Rusia u përpoq që ta ndalte referendumin për ndryshimin e emrit të këtij vendi, i cili dërgon tashmë vendin tonë fqinj drejt NATO-s./RTK/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA