Qytetarët e Kosovës në zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit nuk kanë vendosur vetëm për një qasje të re qeverisëse por edhe frymë të re politike brenda Kuvendit të Kosovës.

Legjislatura e shtatë do të përbëhet nga shumë fytyra të reja politike.

Nga partia më e madhe, Lëvizja Vetëvendosje 17 nga 32 deputetë janë fytyra të paqena ndonjëherë në kuvend.

Nga 29 deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, 12 do të ulen për herë të parë.

Edhe për partinë që u rrëzua nga pushteti pas 12 vjetësh, votuesit e saj i dhanë besimin politikanëve të rinj.

Nga 25 deputetë sa do ti ketë Partia Demokratike e Kosovës, 15 do të ulen për herë të parë në legjislativ.

Ndërsa nga koalicioni 100 për qind Kosova, AAK- PSD, nga 14 deputetë 4 janë të rinj.

Dy parti politike, pjesë e Qeverisë në detyrë më nuk do të jenë as pjesë e Kuvendit.

Koalicioni Nisma- AKR sipas rezultateve përfundimtare kanë marrë vetëm 4.98 për qind të votave, rrjedhimisht duke mos e kaluar as pragun zgjedhor.

Derisa nga PSD-ja si pjesë e koalicionit 100% Kosova, vetëm një person ka arritur të marrë vota të mjaftueshme për t’u bërë deputet.

LVV-ja dhe LDK-ja sipas rezultateve përfundimtare kanë 61 përfaqësues në Kuvend, si rrjedhojë kanë vota të mjaftueshme për t’i quar përpara agjendat politike.

Këto dy parti gjatë së enjte do të zhvillojnë takimin e gjashtë të grupeve punuese, për të diskutuar për harmonizimin e qëndrimeve për politikat sociale dhe projektet infrastrukturore.

Menjëherë pas certifikimit të zgjedhjeve, pritet nënshkrimi i marrëveshjes për qeverisje, pas së cilës do të diskutohet temat e rëndësishme si dialogu, ndarja e ministrive dhe inkuadrimi i politikanëve nga komuniteti serb në Qeveri e që kanë mbështetjen e Listës Serbe.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA