KQZ shpall rezultatet përfundimtare, 24 orë afat për ankesa nga subjektet dhe kandidatët

07/11/2019 12:19

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur sot rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 6 tetorit, të cilat kanë nxjerrë Lëvizjen Vetëvendosjen të parën me 32 deputetë, ndërkohë që Lidhja Demokratike e Kosovës do të ketë 29 deputetë, Partia Demokratike e Kosovës 25 deputetë, koalicioni AAK-PSD 14 deputetë.

Nga këto zgjedhje Nisma Socialdemokrate nuk ka arritur të kalojë pragun për t’u bërë pjesë e Kuvendit të Kosovës.

Kryetarja e KQZ-së Valdete Daka bëri të ditur që partitë dhe kandidatët kanë të drejtë 24 orë të ankohen në Panelin Zgjedhor për ankesa dhe Parashtresa.

Nga rezultatet përfundimtare të KQZ-së, del që Vetëvendosje ka fituar 26.159% të votave në zgjedhjet nacionale të 6 tetorit, pasuar nga LDK me 24.458%.

“Lëvizja Vetëvendosje ka fituar gjithsej 220 mijë e 811 vota, apo shprehur në përqindje 26.159%, Lidhja Demokratike e Kosovës ka fituar 206 mijë e 458 vota apo 24.458%, Partia Demokratike e Kosovës ka 178 mijë e 645 vota apo 21.163%, AAK-PSD koalicioni 100% Kosovë ka 96 mijë e 883 vota apo 11.477%, Srpska Lista ka 57 mijë e 15 vota apo 6.754%, Nisma Socialdemokrate- Aleanca Kosova e Re- Partia e Drejtësisë ka 42 mijë e 72 vota apo 4.984%”, bëri të ditur Daka.

Në legjislaturën e shtatë të Kuvendit të Kosovës, Lista Serbe do t’i ketë 10 deputetë, koalicioni VAKAT 2 deputetë, Kosova Demokratik turk Partisi 2 deputetë, Partia Liberale Egjiptiane 1 deputet, Nova Demokratsska Stranka 1 deputet, Partia e Ashkalinjve për Integrim 1 deputet, Iniciativa e re Demokratike e Kosovës 1 deputet, Jedinstvena Goranska Partija 1 deputet, dhe Partia Rome e Bashkuar e Kosovës 1 deputet.

Shpallja e rezultateve përfundimtare vjen pas përfundimit të të gjitha procedurave në vendvotime më 6 tetor dhe pas ditës së zgjedhjeve në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ku janë numëruar votat me postë, votat e personave me nevoja të veçanta, votat me kusht dhe janë rinumëruar rreth 850 vendvotime.

Kryetarja e KQZ-së Vadete Daka tha se ky publikim u bë pasi u konfirmua se Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe Gjykata Supreme se nuk kanë ndonjë çështje për të shqyrtuar dhe vendosur.

Në zgjedhjet e 6 tetorit ku kanë qenë 44.72% pjesëmarrës në votime, lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka marrë 183.868 vota, kandidatja e LDK-së për kryeministër Vjosa Osmani ka marrë 176.188 vota, Kadri Veseli i PDK-së 146.763 dhe ish-kryeministri i Kosovës dhe lider i AAK-së Ramush Haradinaj 75.917.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA