Kur të gjithë mendonin se plotësimi i vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese kishte hyrë në rrugë të mbarë, krijohet ngërçi i radhës.
Pasi dekretoi kandidatin e parë Besnik Mucin, presidenti nuk ushtroi të drejtën për të zgjedhur anëtarin e dytë të Gjykatës Kushtetuese.
Arsyet ia përcolli Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, dhe për dijeni kreut të Kuvëndit Gramoz Ruci.
“Fakti që të njëjtët aplikantë gjenden edhe në listën e Kuvendit, komplikon kompetencën kushtetuese të zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Kështu, një përzgjedhje e mundshme e Presidentit, pa ruajtur radhën kronologjike që Kushtetuta përcakton, mund të sillte/sjellë teorikisht, deri edhe në vendosjen e Kuvendit në kushtet e pamundësisë praktike për të pasur numrin e nevojshëm të kandidatëve për zgjedhur anëtarët që i takojnë”, ka thënë Presidenti Meta.
Presidenti thotë se e mban këtë qëndrim nisur nga parimi kushtetues i kualitetit, bashkëpunimit, midis organeve shtetërore dhe nga gjetja e mundësive që Gjykata Kushtetuese të plotësohet sa më parë.
“KED-ja me përcjelljen e njëkohshme të listave të kandidatëve për plotësimin e të dy vakancave që i përkasin Presidentit të Republikës, e ka vendosur Institucionin e Presidentit të Republikës në vështirësi, duke u përpjekur të krijojë një gjendje fakti ku Presidenti sipas KED-së do të duhet të shprehet brenda afatit ligjor 30-ditor edhe për emërimin e gjyqtarit tjetër për plotësimin e vakancës tjetër, eventualisht përpara se Kuvendi të shprehet për emërimin e gjyqtarit të dytë kushtetues”, tha Meta.
Presidenti i Republikës, thekson se nëse do të ndiqte këtë logjikë siç ka vepruar administrativisht Kryetari i KED-së, kjo do të çonte domosdoshmërisht në shkelje të parashikimeve të dispozitave të Kushtetutës.
Muhamed Veliu
Top Channel