Të dhënat zyrtare për aksidentet rrugore tregojnë që për periudhën Janar Shtator të këtij viti, janë regjistruar 157 të vdekur në të gjithë vendin. Nga këta, 44 kanë humbur jetën për shkak se kanë qenë duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur ose nën efektin e alkoolit. Pra, pothuajse një në katër persona ka vdekur pikërisht për këtë shkak.
Eksperti rrugor Gëzim Hoxha, thotë se policia ka gjetur vetëm pikën fundore me arrestime e atyre që drejtojnë mjetin në gjendje të dehur, duke mos i dhënë zgjidhje problemit.
“Sipas ligjit, kush drejton mjetin në gjendje të dehur arrestohet dhe çohet në komisariat, mbahet 72 orë, del përpara gjyqit dhe më pas lirohet. Kjo ka pasoja financiare tek familjarët, sepse po arrestohet një person. Dhe kur arrestohet një familjar, e gjithë familja është në ankth”,ka thënë Gëzim Hoxha.
Hoxha, jep idenë që në vendin tonë duhet ndjekur disa praktika botërore, si me rastet e lokaleve që tregtojnë alkool.
“Në çdo lokal që tregtohet alkool duhet vendosur një pajisje në dalje e cila tregon nivelin e konsumit të alkoolit. Për çdo person që do të drejtojë mjetin”, shton Hoxha.
Por krahas përdorimit të alkoolit, një fenomen tjetër i rrezikshëm është ai i përdorimi të celularit në timon, i cili në jo pak herë ka shkaktuar viktima. Për ekspertin Gëzim Hoxha, celulari është burim serioz i aksidenteve çka i shkakton drejtuesit humbjen e kontrollit të mjetit.
“Nëse ai për dy tre sekonda humb logjikën, dhe e ka pasur pak timonin të prerë, për këto dy tre sekonda ai ka bërë 70 metra dhe praktikisht ka rënë në humnerë. Unë kam një rast, kur në një aksident shkon policia rrugore, gjen që në celularin e të aksidentuarit fliste dikush në anën tjetër. Fakteqësisht djali kishte humbur jetën”, ka thënë Hoxha.
Rasti me i fundit i humbjes së jetës nga përdorimi i celularit, ishte 30 vjeçari, Erjon Beli, i cili u përplas më një bordurë në rrugën Plepa Shkozet. Beli po kthehej nga një lokal tallavaje ku edhe këndonte dhe në momentin e përplasjes ishte me celular në dorë. Për këtë çështje, policia e ka të vështirë të prodhojë statistika, për shkak se në vendngjarje nuk ka prova të fiksuara që të përcaktojnë shkakun e aksidentit.
Andi Bora
Top Channel