Balotelli në Kombëtare, Mancini mendon rikthimin e tij

05/11/2019 12:34

Duket se gjithçka nuk po shkon në drejtimin e duhur për Mario Balotellin, i cili përveçse duhet të shohë skuadrën e tij Brescia në fund të klasifikimit në Serinë A, po përballet edhe me kaosin e polemikat e shpërthyera nga koret raciste gjatë ndeshjes me Veronën. Megjithatë nga e gjithë kjo situatë e krijuar, ka një lajm pozitiv për sulmuesin italian që mund të rikthehet në Kombëtaren Italiane.

Trajneri i ‘Të Kaltërve’, Roberto Mancini, pak nga pak ka filluar ta përfshijë Balotellin në mendimet e tij tani që Italia e tij e ka siguruar përfundimisht kualifikimin për në Evropianin e vitit 2020. Ideja e tij është që të grumbullojë në skuadër futbolllistë të tjerë për të zgjeruar listën e të grumbulluarve për të vendosur më pas se cilët do të marrë me vete në fazën finale të Euro 2020 dhe mes tyre figuron emri i Mario balotellit.

Është kjo më shumë një zgjedhje teknike sesa një sinjal për polemikat mbi racizmin edhe pse kjo teori nuk mund të përjashtohet përfundimisht. Balotelli për ca kohë ishte zhdukur nga radarët e Mancinit dhe mund të jetë sërish në listën e tij për ndeshjet që Italia do të luajë me Bosnjen dhe Armeninë në 15 dhe 18 nëntor.

Top Channel