Anëtarja e KLGJ, Brunilda Kadi ka thënë se stoku i dosjeve në Gjykatën e Lartë ka shkuar në 32 mijë e 106 çështje.

Kjo shifër u pohua prej saj gjatë raportimit për veprimtarinë e gjykatave gjatë këtij viti.

“Të ndërhyhet urgjent në plotësimin e gjykatës administrative Shkodër. Për back logun (stok) në Gjykatën e lartë propozojmë marrjen e masave nga KLGJ atëherë kur kjo gjykatë të bëhet funksionale”, tha ajo më tej.

Sipas saj shkaqet pse po zvarriten proceset në gjykata “lidhen jo vetëm me procedurën si pritje të letër porosive, por seancat shtyhen edhe nga ngarkesa e gjyqtarëve”.

Kadi tha më tej: “Vëmë re që ka diferenca të gjykatave që nuk përdorin sistemin audio. Gjykatat argumentojnë regjistrimin audio për shkak të mungesës së sallave, kjo vihet re edhe në gjykatën e Tiranës”.

Gazetarja Anila Hoxha që po ndjek mbledhjen e Këshillit të Lartë Gjyqësor shpjegoi se problematika u evidentuan edhe për sistemin e menaxhimit të çështjeve, zvarritjet apo edhe dorëheqjet e gjyqtarëve gjatë seancës paraprake.

Ndërkohë në gjykatën e Tiranës rezultojnë 547 çështje të zvarritura, ndërsa në atë të Apelit 7926 çështje, të zvarritura tej një afati të arsyeshëm.

Top Channel