Presidenti Donald Trump tha se ai nuk është më banor i Nju Jorkut. Lajmi u njoftua fillimisht nga gazeta “New York Times” dhe më pas u konfirmua nga vetë presidenti në një seri postimesh në Twitter të enjten vonë.

“Pavarësisht nga fakti se paguaj me miliona dollarë taksa për qytetin dhe në nivel shteti çdo vit jam trajtuar shumë keq nga drejtuesit politikë të qytetit e shtetit të Nju Jorkut”, shkruante Trump.

Nuk është e qartë se sa është shuma e taksave që ka paguar zoti Trump në Nju Jork, pasi ai ka refuzon të publikojë informacion mbi këtë çështje. Guvernatori i Nju Jorkut Andrew Cuomo duket se nuk është mërzitur aspak nga kjo. Ai e quajti ndryshimin e vendbanimit çlirim nga një barrë e rëndë dhe shtoi:

“Nuk është se Trump i paguante taksat këtu gjithsesi. Florida është i gjitha e juaja”.

Në shtator Trump dhe bashkëshortja e tij Melania paraqitën dokumente të veçanta vendbanimi në gjykatën e qarkut të kontesë së Palm Beach-it për të ndryshuar vendbanimin e tyre. Sipas rrjetit televiziv NBC Presidenti Trump ka qenë në Mar-a-Lago, rezidenca e tij në Palm Beach, 99 ditë që nga momenti që mori detyrën. Ai ka vizituar klubin e tij të golfit në Nju Xhersi 90 ditë dhe ka shpenzuar vetëm 20 ditë në kullën Trump që ndodhet në qytetin e Nju Jorkut.

Vëzhguesit besojnë se lëvizja e presidentit nga Nju Jorku në Florida ka të ngjarë të jetë pjesërisht e motivuar nga një sistem taksash më të ulëta që zbaton shteti në juglindje të vendit.

Top Channel