Pas premierës që pati rreth një vit e gjysmë më parë, rruga e filmit “Ndërkombëtarët” të regjisorit Pluton Vasi u ndërpre.

Megjithatë që prej kësaj fundjave ai vjen në kinema për publikun. Filmi nisi xhirimet që tre vjet më herët, bazuar në romanin e Ylljet Alickës “Rrëfenjë me ndërkombëtarë”.

“Publiku duhet të vijë të shohë “Ndërkombëtarët”, sepse është një ngjarje reale. Unë kam një parim në krijimtari, e sidomos në filma artistikë, që duhet të ketë një ekuivalencë. Duhet të ketë ndodhur diku, dikur. Mesazhi që sjell filmi është që çdo shqiptar vlen njësoj kudo që të jetë në botë”, u shpreh regjisori, Pluton Vasi.

Filmi na çon në kufijtë e absurdit. Kështu ai ve në lojë diplomatë, ambasadorë e zyrtarë, të cilët janë mitizuar. Alicka shprehet se megjithëse ka kaluar kohë nga botimi I romanit të tij, tema është tërësisht aktuale.

“Qëllimi i romanit dhe i këtij filmi është për të demitizuar konceptin e madhështisë apo besueshmërisë pa kushte të cdo porosie, urdhri të ndërkombëtareve”, tha skenaristi Ylljet Aliçka.

Në rol kryesor Eni Shehu,e sheh sot veten pas tre vitesh në rolin e Roshit. Një djali të ri që ëndërronte perëndimin, por përballja me ndërkombëtarët tej fasadës i rrëzoi kalanë prej rëre.

Kur e sheh veten në rolin e Roshit ka diçka që do të doje t’i ndryshoje, apo je i kënaqur me personazhin?

“Nuk do të doja t’i ndryshoja freskinë që e kam pasur para tre vitesh. Në tërësi më pëlqen, sidomos freskia dhe ajo natyra e tij e çiltër. Naiviteti që e karakterizon”, deklaron Shehu.

Në role janë po ashtu Hervin Çuli, Karafil Shena, Rovena Lule, Kastriot Çaushi, Alfred Trebicka, e të tjerë.  Producentja Vjollca Dedei shpjegon rrugëtimin e filmit.

Cili do të jetë rrugëtimi në festivale? Sepse rruga e filmit u ndërpre për disa muaj.

Filmi në fakt duhet të kishte hyrë në kinema që mbas premierës. Sidomos mbas asaj premierë që pati goxha jehonë. Për fat të keq filmi qëlloj pa fat, unë u sëmura. Mbas kësaj shfaqjeje në fakt do e çojmë në Kosovë, do e çojmë në Shkup dhe pastaj do të shohim nëpër festivale”, tha Vjollca Dedei.

“Filmi ka marrë mbështetjen e QKK ndërsa si media, partner ka Top Channel, me mbështetjen e Presidentes Vjollca Hoxha.

 

Top Channel