Mesiç: Serbia do të ketë vështirësi të marrë një vendim të shpejtë për njohjen e Kosovës

02/11/2019 12:07
Ish Presidenti Stipe Mesic

Kundërshtojë zërat që paralajmërojnë shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë dhe ajo çfarë duhet të bëhet shumë shpejt është hapja e kufijve për qytetarët e Kosovës. Kështu ka thënë në një intervistë për KosovaPress, ish presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiç, i cili mos hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, e ka vlerësuar si një vendim të keq të Bashkimit Evropian.

Ish i pari i shtetit kroat thotë se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë duhet të rifillojë, por është pesimist se Serbia do të marrë ndonjë vendim të shpejtë për njohjen e Kosovës.
“Gjithmonë kam qenë kundër ndryshimit të kufijve, duhet të hapim kufijtë dhe të bashkëpunojmë dhe të mos ndërrojmë territoret”, thotë Mesiç.
Mesiç po ashtu i bën thirrje Bashkimit Evropian që të hapen kufijtë për qytetarët e Kosovës, që të udhëtojnë dhe të shkëmbejnë idetë e kapitalin e tyre.
“Ky dialog duhet të bëhet sepse këto janë vende fqinjë. Për shkak të çështjeve të brendshëm, Serbia do të ketë vështirësi të marrë një vendim të shpejtë për njohjen e Kosovës. Ajo se çfarë duhet të bëhet shumë shpejt, është hapja e kufijve për qytetarët e Kosovës, të udhëtojnë, t’i shkëmbejnë idetë dhe kapitalin e tyre dhe për ta bërë atë të duken si kufij evropian”, pohon Mesiç.
Ndërkaq, për vendimin e BE-së për mos hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, Mesiç thotë për KosovaPress, se ka qenë vendim i keq dhe i dëmshëm për rajonin.
“Unë mendoj se ky është një vendim i keq i BE-së, sepse vetëm Evropa e bashkuar mund të jetë një faktor serioz në botë… Në mënyrë që Evropa të jetë një faktor i tillë në botë, Evropa Juglindore duhet të hyjë sa më parë në BE”, thotë ai.
Mesiç ka qenë president i Kroacisë nga viti 2000 deri në vitin 2010, dhe ka shprehur gjithmonë mbështetjen e tij për shtetin e Kosovës. Kosovapress

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA