Aleksandër Çipa, kreu i Unionit të Gazetarëve në ditën ndërkombëtare të krimeve të pazbardhura ndaj gazetarëve komenton situatën në të cilën ndodhet media shqiptare.

“Është një situatë kritike, por gjithmonë në dy aspekte, në aspektin social që ka të bëjë me statusin social vërtet të rrënuar të gazetarëve shqiptarë dhe kryesisht të kategorive raportuese dhe së dyti në një rrethanë informaliteti mbetet në një stanjacion për më shumë se 28 vite. Aspektet e tjera që kërcënojnë lirinë e gazetarit dhe të editorit shqiptar lidhen me grupet e interesave dhe presionit që ato ushtrojnë në relacionin që ato kanë me poseduesit e mediave, politikën dhe me tregun kaotik të ekonomisë shqiptare”, është shprehur Aleksandër Çipa.

Sipas jush cila është nevoja emergjente që ka media shqiptare?

“Për një reformë vetërregulluese e cila duhet të burojë nga komuniteti profesional i gazetarëve, të mund të heqë dorë nga aprofesionalizmi dhe përfshirja sidomos pa kritere rekrutimi të personave që përfshihen në strukturat redaksionale dhe kryesisht tek online shqiptar, e cila është një nga aspektet më informale të medias shqiptare”, tha Çipa.

Presidenti Meta thotë se vetëm “Zëri i Amerikës” dhe “DW” janë media të besueshme, por a ka media të tjera të cilat janë të besueshme në Shqipëri?

“Do të refuzoja çdo listim që vjen prej politikës për besueshmërinë e mediave. Në Shqipëri ka media të besueshme sepse ka kolegë dhe gazetarë profesionistë që e kanë qëllim të tyre raportimin dhe profesion të vetëm. Unë u besoj gjithmonë kolegëve dhe profesionistëve”, tha ai në fund.

Muhamed Veliu

Top Channel