“Institucionet janë institucione”, ky ishte komenti i parë me zë dhe figurë i Edi Ramës , pasi KQZ vendosi t’i ndërpresë mandatin të zgjedhurit të tij për Vorën.
Por nuk kaluan shumë orë dhe përmes një Twitter, kryeministri u shpreh se “ KQZ provoi se nuk është vegël e partive ashtu sikurse ishte në të shkuarën por është institucion, i cili mbron ligjin dhe interesin publik”. Partia Socialiste sipas Edi Ramës riprovoi se nuk bëhet strehë e atyre qe shkelin ligjin dhe besimin e saj. Luzim Basha ndau tjetër qëndrim.
“Poshtërim për PS-në në radhë të parë, nga e cila nuk nxjerr dot kandidatë të painkriminuar, të padënuar por nxjerr llumin e llumit por është edhe një poshtërim edhe për shqiptarët që shkëlqejnë kudo në botë por në vendin e tyre qeverisen nga kriminelë, trafikantë nga hajdutë, nga të korruptuar që e kanë vendin në burg e jo në qeverisje. Zgjidhja e vetme është që t’ia kthejmë qeverisjen shqiptarëve. T’ia kthejmë parlamentin shqiptarëve me zgjedhje të parakohshme parlamentare, me një qeveri kujdestare që do të garantojë votën e tyre”, u shpreh Basha.
Në të njëjtën linjë, me thirrjen e kryedemokratit u shfaq edhe LSI me Petrit Vasilin, për të cilën largimi i Kajmakut vulosi fundin politik, moral dhe psikologjik të kryeministrit.
Top Channel