Presidenti amerikan Donald Trump e ka bërë mbrojtjen e rezervave të naftës në Siri një përparësi kryesore, dhe po dislokon trupa amerikane në fushat e naftës, megjithëse ai tërhoqi trupat amerikane nga zonat kufitare me Turqinë, duke i hapur rrugën një ofensive ushtarake turke ndaj kurdëve në fillim të këtij muaji. Zyrtarë të lartë të administratës thonë se Shtetet e Bashkuara dëshirojnë të kontrollojnë fushat e naftës në mënyrë që ato të mos bien përsëri në duart e militantëve të Shtetit Islamik. Por siç njofton korrespodentja e Zërit të Amerikës, Cindy Saine ekspertët kanë ngritur pikëpyetje në lidhje me përqendrimin e Presidentit Trump në fushat e naftës.
Këto imazhe të kurdëve të zemëruar nga braktisja që i bënë forcat amerikane në Siri nënvizojnë kritikat në nivel të gjërë ndaj vendimit të Presidentit Donald Trump për tërheqjen e ushtarëve amerikanë përballë një inkursioni turk.
Por tani, Presidenti Trump dëshiron dislokimin e trupave amerikane për të mbrojtur fushat e naftës në lindje të Sirisë.
“Nafta është e vlefshme për shumë arsye. Së pari, ajo nxiti ISIS-in. Së dyti, kjo ndihmon kurdët sepse në thelb kurdët i kontrollonin këto zona më parë. Dhe, së treti, mund të na ndihmojë sepse edhe ne duhet të jemi në gjendje të marrim një sasi. Dhe ajo që unë synoj të bëj ëshë, ndoshta,
arritja e një marrëveshje me një kompani si Exxon Mobil ose me një nga kompanitë tona të shkëlqyera për të shkuar atje dhe për ta nxjerrë naftën ashtu siç duhet”, tha Presidenti Trump.
Sekretari i Mbrojtjes, Mark Esper shpjegoi më tej arsyetimin.
“Tani ne jemi duke ndërmarrë disa veprime, për të cilat nuk do të jap hollësi, për të forcuar pozicionin tonë në Deir al-Zor për t’u siguruar që ne mund t’ua mohojmë ISIS-it qasjen në fushat e naftës. Ne duam të sigurohemi që ata të mos kenë qasje në burimet që mund t’i ndihmojnë ata të sulmojnë rajonin, Evropën, dhe Shtetet e Bashkuara”.
Ekspertët thonë se militantët e Shtetit Islamik vareshin nga nafta për operacionet e tyre disa vjet më parë.
“Kur ISIS-i kontrollonte një sipërfaqe të madhe territori në Siri dhe Irak, grupi përdori fushat e naftës në dobi të tij, si për operacionet ushtarake, përfshirë furnizimin e kamionëve me naftë, ashtu edhe për të kontrabandimin e sasive të mëdha të naftës në tregun e zi”, thotë Laurie Blank nga Universiteti Emory.
Por shumica e ekspertëve hedhin poshtë idenë se kompanitë amerikane mund të përdorin naftën e Sirisë.
“Kompanitë amerikane të naftës do të përballeshin me një mori vështirësish ligjore dhe praktike në operimin atje. Kështu që kjo nuk do të ishte e lehtë për t’u bërë dhe nuk jam i sigurt se ata do të ishin të entuziazmuar për ta bërë.”
Jeff Colgan i tha Zërit të Amerikës se terroristët, të paktën deri në kohën e Osama bin Ladenit, shpesh kanë pohuar në mënyrë të pasaktë se
Amerika është e përfshirë në Lindjen e Mesme vetëm për të marrë naftën nga vendet e rajonit.
“Ky lloj komenti dhe sugjerimi nga Presidenti Trump ushqen këtë argument dhe punon kundër sigurisë. Ky veprim legjitimon këtë ide në Lindjen e Mesme dhe punon kundër sigurisë afatgjatë të qytetarëve të Shteteve të Bashkuara.”
Presidenti Trump, thotë Laurie Blank, është fiksuar te nafta për shkak të një koncepti të vjetëruar të luftës.
“Ky interes, të paktën në mendjen time, duket se bazohet në një koncept shumë të lashtë të luftës që nuk ekziston më, që është ideja e pushtimit. Pra, kjo bazohet në idenë pushto dhe merr. Bota nuk do të funksionojë më në atë mënyrë.”
Me kaq shumë palë të përfshira në konfliktin sirian, rusët, kurdët, trupat siriane dhe madje edhe luftëtarët iranianë, ekspertët thonë se kontrolli i fushave të naftës ka të ngjarë të vihet në pikëpyetje./VOA
Top Channel