Një në çdo 4 persona është i prirur të preket nga ishemitë apo hemoragjitë cerebrale. Të paktën këto janë shifrat që publikoi Instituti i Shëndetit Publik, në ditën botërore të insulteve apo strokut siç njihen në gjuhën e mjekut. Vetëm në QSUT shtrohen çdo vit 1200 raste të reja.

“Strokulla apo aksidentet vaskulare cerebrale janë sëmundje shumë të shpeshta dhe janë të renditura në Shqipëri apo në botë për shkallën e parë të invaliditetit apo shkallën e dytë të vdekshmërisë. Incidenca është tek 4-5% raste të reja çdo vit”, shprehet Dr. Entela Basha, mjeke neurologe.

Mjekët thonë se mos kujdesi ndaj hipertensionit, diabetit, stresi në jetën e përditshme, mungesa e aktivitetit fizik por edhe konsumi i alkoolit, duhanit e drogës janë faktorët që ndikojnë tek një person për të bërë ishemi, apo hemoragji cerebrale, që nuk janë gjë tjetër veçse mpiksje e gjakut në tru. Por a kanë simptoma paraprake që mund të kuptohen nga vetë pacienti?

“Paraprakisht shenja të mirëfillta nuk ka. Sëmundjet neuro-vaskulare janë sëmundje që fillojnë në mënyrë të menjëhershme, krejt papritur individi apo pacienti vë re që ka probleme me lëvizjen e dorës dhe të këmbës, ka probleme me artikulimin e fjalëve, ka probleme të ekuilibrit, të orientimit apo të shikimit. Menjëherë sapo shfaqen këto simpotma është e mira që të bëhen të vetëdijshëm dhe të paraqiten në spital”, shton doktoresha.

Që prej viti 2016 në QSUT është ngritur shërbimi neurovaskular posaçërisht për trajtimin e aksidenteve cerebrale ku edhe mundësohet parandalimi i paralizave që shkaktojnë.

“Duhet patur parasysh nga pacientët se nëse i kanë këto simptoma është e mira të paraqiten në tre orët e para në spital, sepse n.q.s kalojnë 3-4.5 orëshit dalin jashtë dritares terapeutike, i themi ne, dhe nuk mund të përfitojnë nga procedurat e trompolezës”, shprehet Dr. Entela Basha.

Alma Demiraj

Top Channel