Në përfundim të takimit të ekspertëve të opozitës së bashkuar për reformën zgjedhore, Enkelejd Alibeaj, përfaqësues i Partisë Demokratike, deklaroi se dy ishin çështjet kryesore të diskutimit: shitblerja e votës dhe presioni ndaj administratës.
Alibeaj pranoi se në takim u diskutua edhe mbi draftin e publikuar nga mazhoranca për këtë reformë, por aty, sipas tij, renditen tre probleme kryesore.
“Të shkruash se për çështjen më të rëndë, siç është ajo e shitblerjes së votës, mjafton një deklaratë solemne e Ramës, çdokush e kupton se kjo vetëm reformë zgjedhore nuk është”, tha Alibeaj, duke kritikuar edhe qëndrimet e mazhorancës ndaj përdorimit të administratës në zgjedhje, apo ndërhyrjes së parave të pista.
“Jemi të pozicionuar për një reformë zgjedhore reale. Për t’i dhënë shqiptarëve votën e lirë, votën reale”, tha demokrati.
Sipas Alibeajt, reforma zgjedhore duhet të diagnostikojë problemet e zgjedhjeve dhe të gjejë ilaçin efektiv.
“Agjenda jonë është agjendë totalisht e orientuar nga dokumenti i Bundestagut”, shtoi ai.
I pyetur se cila është zgjidhja që ofron opozita e bashkuar ndaj fenomenit të shit-blerjes së votës, Albieaj përmendi qeverinë tranzitore.
“Kjo është një çështje e vullnetit politik. Besoj se keni dëgjuar për qeverinë tranzitore. Kjo është zgjidhja logjike, racionale, proporcionale, si zgjidhje e fundit”, tha ai.
Top Channel