Të jesh i suksesshëm në muzikë nuk do të thotë të kesh vetëm muzikë dhe tekst të bukur por një rol mjaft kyç në suksesin e një kënge luan edhe koha se kur ajo publikohet. Artistët shqiptarë kanë kuptuar qartë se kur duhet të publikojnë këngë të reja, sa kohë duhet të bëjnë pauze muzikore në mënyrë që të rikthehen sërish në sezonin e duhur, për të qënë në qendër të vëmendjes.
Pavarësisht se ndër vite ka ndryshuar fluksi i publikimit të projekteve të reja muzikore, duket se rregulli mbetet i njëjtë, artistët shpërthejnë në kohën e duhur dhe “flenë gjumë” në sezonet e “vdekura” të muzikës.
Po kush janë sezonet më të suksesshme dhe “të vdekura” të muzikës?
Nëse do të bëjmë një analizë këto tre vitet e fundit shohim se ndërkohë që janë shtuar shumë artistë të rinj në treg, artistët “e vjetër” kanë zgjedhur që të jenë sa më pranë publikut të tyre, duke publikuar projekte të njëpasnjëshme.
Stinët në të cilën kemi një prodhimtari të lartë sa i përket projekteve të reja muzikore janë muaji korrik dhe muaji gusht. Janë pikërisht këto stinët ku artistët publikojnë projekte të reja, duke luftuar fort se cili do të jetë hiti i asaj vere por njëkohësisht dhe për të fituar sa më shumë performanca në klubet e natës.
Në muajin shtator dhe tetor, artistët zgjedhin të pushojnë nga zhurma e madhe, duke krijuar një pauzë muzikore. Kjo nuk do të thotë absolutisht se nuk kemi asnjë prurje të re muzikore por numri maksimal mund të arrijë në tre këngë të reja në javë.. Kemi një rizgjim të këngëtarëve në nëntor dhe dhjetor, të cilët sjellin sa më shumë atmosferë festash për t’ju përshtatur sa më mirë atij sezoni. Në fakt po të kthehemi në nëntorin e vitit 2018-të, vumë re një ndryshim të madh në strategjinë e artistëve pasi për herë të parë patëm 7 hyrje të reja në listë, duke thyer paksa rregullat. Nuk dihet nëse ky vit do të jetë i njëjtë si viti i kaluar.
Janari mund të konsiderohet si një ndër muajt më “te vdekur” të muzikës, pasi ndër vite numërohet shumë pak hyrje të reja, madje ka edhe javë pa asnjë hyrje.
Në muajin shkurt kemi një ringjallje të vogël pasi një pjesë e këngëtarëve zgjedhin të kënaqin ciftet e dashuruar, duke bërë dedikimin më të bukur të dashurisë përmes zërit në ditën e të dashuruarve.
Gjatë muajve mars, prill, maj kemi sërish një sezon të “vdekur” sa i përket muzikës pasi artistët zgjedhin të mos prodhojnë shumë prurje të reja muzikore, për t’u rikthyer në muajin qershor, i cili është edhe fillimi i temperaturave të larta dhe punës së tyre nëpër evente të ndryshme.
Top Channel