Kategoria Superiore nuk ka ndeshje të rezervuara për ditën e shtunë për shkak të sfidave të luajtura në mesjavë, kështu që java e 10 e këtij kampionati është e ndarë në dy ditë; e diel dhe e hënë dhe e gjithë kjo se ndeshjet e javës së nëntë u zhvilluan në mesjavë.
Të dielën janë programuar për t’u zhvilluar 3 ndeshje ku Tirana do të luajë me Luftëtarin ku për bardheblutë bën debutimin e tij trajneri Ahmataj. Vllaznia do të udhëtojë drejt Laçit që ka fituar moral pas fitores me Teutën. Është pikërisht kjo e fundit që ka përballjen më të vështirë pasi do të luajë në Ballsh me Bylisin një skuadër që po bën vërtet shumë mirë në këtë sezon në Kategorinë Superiore duke i befasuar të gjithë me paraqitjet e tij shumë të mira në fushën e lojës që të bën të mendosh se grumbullimi i 16 pikëve prej kësaj skuadre nuk është rastësi.
Vëmendja më e madhe për ndeshjet javës së dhjetë të kategorisë superiore do të jetë e përqendruar në pasditen e së hënës. Partizani, që pas suksesit me Skënderbeun mori edhe kryesimin në klasifikim, do të presë Kukësin që vjen në këtë përballje pas suksesit 4-1 me Luftëtarin. Diferenca mes këtyre dy skuadrave është 3 pikë me verilindorët që do të kërkojnë të marrin maksimumin, synim që padyshim e ka edhe Partizani.
Tjetër ndeshje e rëndësishme e së hënës është ajo që do të luhet mes Flamurtarit e Skënderbeut. Skuadra Vlonjate që ndërpreu bashkëpunimin me trajnerin Sadedini, po jeton ndoshta sezonin më të vështirë në historinë e tij. Flamurtari është në vendin e fundit në renditje me vetëm 2 pikë të grumbulluara në 9 javë, ndërkohë që edhe vetë Skënderbeu është në vështirësi teksa e sheh veten në vendin e 7 me 13 pikë, 4 më pak se Partizani kryesues. të gjitha ndeshjet e kësaj jave në Kategorinë Superiore do të transmetohen në platformën Digitalb.
Top Channel