Astrit Patozi foli sot në emisionin “Top Talk” në Top Channel për një propozim konkret për sistemin zgjedhor.

Koordinatori i Bindjes Demokratike thotë se duhet aplikuar sistemi proporcional me lista të hapura.

“Në rast se sistemi nuk preket, Shqipëria nuk e zgjidh ngërçin politik. Kjo është një gjë për t’u diskutuar dhe ne nuk e dimë se kush është koncepti i PS apo PD. Ne kemi dhënë një shembull se si punohet dhe si duhet të jetë Shqipëria sipas nesh”, u shpreh Patozi.

Sipas Patozit, sistemi proporcional me lista të hapura i heq gravitetin e pushtetit kryeministrit.

“Duhet të kalojmë në një sistem proporcional me lista të hapura. Kjo i çon qytetarët te zgjedhjet dhe jo te votimet. Kryeministri, i cili ka gravitetin e pushtetit në Shqipëri, e keqpërdor atë. Atëherë, çfarë bëjmë ne me këtë paktë? Kufizojmë pushtetin e kryeministrit, fillimisht me listën e hapur. E dyta, i heqim kryeministrit privilegjin kushtetues ku është i pathyeshëm”, thekson Patozi.

Top Channel