Ekspertët e atashuar pranë komisionit parlamentarë të Reformës Zgjedhore kanë hartuar një draft dokument ku përfshihen një sërë ndryshimesh në Kodin Zgjedhor.

Përmes këtyre ndryshimeve synohet më shumë kontroll për sa i përket shpenzimeve, financimeve dhe raportimeve nga partitë politike. Neni 7 sipas këtyre ndyshimeve parashikon që përpara fushatës elektorale çdo kryetar partie të bëjë një deklaratë me shkrim.

“Angazhimi solemn për refuzimin për të marrë pjesë në praktika të blerjes së votës, marrjes së financimeve apo përfitimeve të kundërligjshme veçanërisht nga ato që vijnë nga aktivitete kriminale, si dhe përkushtimin për të konkurruar në zgjedhje në mënyrë të ndershme dhe me integritet”.

Ndryshimet e propozuara ashpërsojnë ndëshkimet për shitblerjen e votës.

“Subjekteve zgjedhore u ndalohet dhe mbajnë përgjegjësi penale në rast se ofrojnë ose japin  të holla, të mira materiale, premtojnë për vend pune ose favorizime të tjera në cilëndo formë, për zgjedhësin ose persona të tjerë të lidhur me të, me qëllim marrjen e firmës për paraqitjen e një kandidati në zgjedhje, për të votuar në një mënyrë të caktuar, për të marrë pjesë ose jo në votime, ose për t’u angazhuar në veprimtari të paligjshme për mbështetjen e një kandidati ose partie politike”.

Ndaj donatorëve  të  partive politike parashikohen disa kufizime.

“Personat fizikë ose personat juridikë që i kanë bërë dhurime një partie politike apo kandidati në zgjedhje nuk mund të përfitojnë për periudhën deri 3 vjet pas datës së zgjedhjeve, kontrata publike, kontrata të partneritetit publik privat ose në çdo mënyrë mënyrë tjetër fonde me vlerën totale që tejkalon shumën prej 10 milion lekë,përfshirë edhe si nënkontraktues të një kontrate/koncesioni publik.”

Neni 173 i Kodit Zgjedhor ndryshon tërësisht. Në të sanksionohen 10 penalitete të forta  news shkelen rregullat  për sa i përket financimit të fushatave elektorale.

Top Channel