Mbi vendimin e mosdhënies së PO-së për çeljen e negociatave të Shqipërisë me BE-në ka reaguar ish-deputetja Jorida Tabaku.

“Do të kishte qenë shumë mirë për ne të kishim një PO, por ne duhet të zbatojmë disa kritere minimale. Kryeministrat europiane flasin se në Shqipëri janë përqendruar të gjitha pushtetet në një dorë. Nuk ka faj Evropa pse grupet kriminale shqiptare, janë bërë problem në BE, pse këtu vidhen zgjedhjet, pse këtu vjedh qeveria dhe qytetarët largohen dhe kërkojnë azil. Rruga e integrimit është e lidhur në mënyrë të pashmangshme me largimin e Ramës. Vetëm nëse largohet ai, mund të plotësohen kushtet për të nisur bisedimet dhe mund të kthehet shpresa. Mund ti themi jo vjedhjes së zgjedhjeve dhe të vazhdojmë rrugën e integrimit”, u shpreh Tabaku.

Më tej, Tabaku shton:

“Zoti Rama vjet festoi hapjen e negociatave, para dy javësh tha se Bundestagu nuk ka kushte dhe do të nisin bisedimet për kapitujt e negociatave, në 2016-ën Rama tha se do të hapen negociatat. Duhet të merremi me punë reale dhe jo me propagandë. Rama duhet të vendosë të parin prioritetin kombëtar për integrimin dhe jo të ketë prioritet pushtetin e tij personal. Sepse ai është pengesa kryesore për procesin. Nëse nuk do të ishte Rama, sot nuk do të ishim të përfshirë në dokumentin e Bundestagut si vend bazë për drogërat e forta, nuk do të përmendeshim nga OSBE-ODIHR si vend që nuk ka më standard për zgjedhje të lira e të ndershme dhe nuk do të kishim kusht që të nisnin procedime penale për ata që kanë vjedhur zgjedhjet. Edi Rama duhet të merrte sot përgjegjësi. Dorëheqja e Zaev, është një akt prej shtetari. Shpresoj që Rama të reflektojë dhe të japë dorëheqjen. Duhet të jetë një sinjal shumë i mirë edhe për rrugën që duhet të ndjekë Edi Rama. E vetmja mënyrë është largimi i tij që Shqipëria të vazhdojë rrugën e Bashkimin Evropian. Është në të mirë të Shqipërisë, që dokumenti i Bundestagut me 9 kushtet të bëhet një udhërrëfyes për një qeveri të re tranzitore, pa Edi Ramën që Shqipëria të sigurojë plotësimin e kushteve për në Bashkimin Evropian dhe të zhvillojë zgjedhje të lira e të ndershme.”

Top Channel