Lëvizja Vetëvendosje është shumë pranë certifikimit si fituese e zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 6 tetorit në Kosovë. Rezultati final nuk është shpallur ende për shkak se nuk ishin numëruar votat e sjella me postë, ndërkohë që nga procesi që filloi mëngjesin e të mërkurës dhe pritet të mbyllet këtë mbrëmje, shihet qartë se Vetëvendosja e Albin Kurtit kryeson edhe në diasporë.

Me më shumë se 5 mijë vota të numëruara nga gjithsej 13.500, Vetëvendosje kryeson me 2542 vota, e ndjekur nga LDK me 972 vota, PDK me 825 vota, koalicioni AAK-PSD me 369 vota dhe ai mes NISMËS-AKR-PD 356 vota.

Sipas zëdhënësit të KQZ, Valmir Elezi, procesi po shkon mirë dhe nuk janë vënë re parregullsi.

“Shpresojmë që brenda një kohe të shkurtër në variantin jam optimist që deri në përfundimin e kësaj dite të përmbyllet numërimi i këtyre fletëvotimeve dhe me mundësi që nesër mos të ketë fare nevojë”- tha Valmir Elezi.

Numërimi i votave të diasporës po ndiqet edhe nga vëzhgues të partive politike dhe organizatave jo qeveritare. Në numërim nuk janë përfshirë ndërkohë votat e ardhura pas përfundimit të afatit për pranimin e fletëvotimeve me postë, që ka qenë data 5 tetor.

Numërimi i votave të ardhura me postë nisi pas përfundimit të vlerësimit të tyre. Ky i fundit, si proces, ka për qëllim të identifikojë një fletëvotim me personin që e ka dërguar atë në mënyrë që vota të pranohet ose refuzohet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA