Merkel nuk e bindi dot Macron-in/ Presidenti francez: Reformim i BE, pastaj negociata me Tiranën e Shkupin

17/10/2019 00:52

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, nuk ka arritur ta binde presidentin francez, Emmanuel Macron për ti ndezur dritën jeshile hapjes së negociatave për anëtarsimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE.

Nga Tuluza, ku u mbajt samiti franko gjerman, Macron përsëriti edhe një herë se zgjerimi i BE në këto momente është i papërshtatshëm, pasi siç e ka thënë edhe më herët, nevojitet një reformim i bllokut më parë.

“Kemi disa diferenca sa i përket problematikave që janë shfaqur. Ashtu siç e dini duhet një vendim unanim për çeljen e negociatave”-tha Merkel.

“E përshëndes kurajon dhe reformat që ka ndërmarrë Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Do flisja për një sinjal pozitiv, por Ballkani është tejet strategjik për Evropën. Duhet ta reformojmë procedurën. Unë po e shpall vizionin tim gjeopolitik para kancelares”-tha Macron.

Merkel dhe Macron, u fokusuan kryesisht tek tema si Brexiti apo siguria globale, por përsëritën shpesh frazat “BE unike” dhe “Unitet franko-gjerman’, në prag të samitit të liderëve më 17 dhe 18 tetor. E ky unitet franko-gjerman thyhet në çështjen e hapjes ose jo të negociatave për dy vendet ballkanike, me Gjermaninë që e ka thënë “po”-në e saj, dhe me Francën që kërkon reformim të bllokut para zgjerimit të mëtejshëm.

Që para samitit, të mbajtur në Tuluzë të Francës, kancelarja Merkel tha se do të donte që Parisi dhe Berlini të shkonin në Bruksel me një qëndrim unik, dhe kjo u pa si një sinjal pozitiv edhe për sa i takon negociatave të shumëdëshiruara nga Tirana dhe Shkupi, e madje edhe kryeministri shqiptar, Edi Rama, e konsideroi samitin e Tuluzës moment shpresëdhënës.

“Nuk jam as optimist as pesimist për rezultatin e këtij procesi por me realizëm gjykoj se po bëhet maksimumi për të marrë ‘Po’-në e merituar dhe më e mbështetur se sot Shqipëria nuk ka qenë asnjëherë në këtë proces”-tha Rama.

Të martën, ministrat e jashtëm të BE nuk mundën të arrinin në një vendim për hapjen e bisedimeve për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në union duke bërë që debati të zhvendoset në takimin e pritshëm të liderëve.

Ministrja e jashtme e Finlandës, vendit që ka presidencën e radhës së BE dhe komisioneri për zgjerimin në largim, Johannes Hahn, sidoqoftë, u shprehën optimistë se liderët do të dijnë të mbrojnë besueshmërinë e bllokut.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA