Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka filluar rinumërimi i 530 vendvotimeve, proces ky i cili pritet të zgjasë rreth një javë.
Pas përfundimit të këtij procesi do të fillojë edhe numërimi i votave me kusht dhe personave me nevoja të veçanta. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka treguar të gjitha arsyet e rinumërimit, teksa i ndau ato në gjithsej pesë kategori.
“Janë 149 vendvotime ku nuk përputhen votat e kandidatëve me votat e subjekteve politike. Nga të gjeturat nga auditimi rezulton se janë 149 vendvotime tek të cilat nuk përputhen votat e kandidatëve me votat e subjekteve politike për shkak të gabimit teknik në formularin e rezultateve të subjekteve politike. Gjatë auditimit rezulton se 24 vendvotime kanë problem teknike të mospërputhjes së numrit të fletëvotimeve, mungesës të faqeve apo rezultatet janë të paqarta. Nga të gjeturat nga auditimi rezulton se 81 vendvotime në këto vendvotime nuk ka vota tek subjekti politik por ka tek kandidati/kandidatët. Në 89 vendvotime, gjatë auditimit është verejtur se kandidati ka më shumë vota se subjekti politik. Në 187 vendvotime rezulton se kandidatët kanë më shumë vota se subjekti politik”, tha ai.
Elezi u shpreh optimist se brenda një jave do të përfundojë gjithë ky proces, derisa tha se menjëherë pas përfundimit të rinumërimit do të fillojë numërimi i votave me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta.
“Brenda 1 jave të përfundojë procesi i rinumërimit të 530 vendvotimeve. Po shpresojmë në opsionin më optimist që brenda një jave të arrijmë rinumërimin e këtyre 530 vendvotimeve. Varemi krejtësisht nga kapacitetet që janë këtu në QNR. I kemi diku 20-22 tavolina numërimi. Gjithashtu kohëzgjatja e numërimit të një kutie votimi varet nga pjesëmarrja e votuesve në atë vendvotim gjatë ditës së zgjedhjeve në atë… pas numërimit të këtyre vendvotimit do të numërohen votat me kusht dhe personat me nevojat e veçanta. Është faza e fundit të përgatitjes së atij procesi, do të punohet në atë drejtim. Derisa bëhet këtu rinumërimi i këtyre vendvotimeve, do të punohet që të jetë e gatshme pastaj fillimi i menjëhershme i votave me kusht dhe personave me nevoja të veçanta”, tha Elezi.
KQZ gjatë mbledhjes së sotme ka marrë vendim që dhe këto vendvotime të shkojnë në rinumërim, kurse vetëm pas pak ditësh përfundoi rinumërimi i 314 vendvotimeve të tjera për të cilat kishte dyshime.
Top Channel