Njëmbëdhjetë nga 26 zyrtarët e KQZ-së të helmuar dje gjatë verifikimit të votave nga Serbia, po qëndrojnë të shtrirë edhe sot në Klinikën Efektive, teksa gjendja e tyre shëndetësore është stabile.
Kështu është shprehur ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së Klinikës Infektive, dr. Lindita Ajazaj-Berisha në një konferencë për media, derisa tregoi të gjitha problemet e tyre, që kryesisht ishin me frymëmarrje, mundim, të vjella dhe skuqje të lëkurës.
Ajazaj-Berisha: Gjendja e pacientëve është stabile
“Në Klinikën Infektive për momentin janë të hospitalizuar 11 pacientë. Prej tyre nëntë femra, dhe dy meshkuj. Gjendja shëndetësore e pacientëve pas ekzaminimeve që janë bërë sot është stabile. Të gjithë pacientët e kanë kujdesin e duhur profesional shëndetësor prej ekipit të klinikes. Për momentin jemi duke i pritur rezultatet e mostrave që janë marrë”, tha drejtoresha Ajazaj-Berisha.
Ajazaj-Berisha nuk dha ndonjë diagnozë të saktë sa i përket këtyre pacientëve, pasi sipas saj duhet të priten rezultatet laboratorike. Teksa tha se gjendja e dy grave shtatzëna dhe fëmijëve të tyre është e mirë.
“Disa prej tyre kanë pas mundim, dy prej tyre vjellje, disa kanë pasur ndryshime në lëkur, në formë të skuqjes dhe kruarjes. Disa prej tyre në formë të ndonjë deramadidi. Disa kanë thënë që kanë pasur probleme me frymëmarrjes, të dhëna tjera nuk ka…për momentin nuk mundemi me dhënë asnjë diagnozë sa i përket këtyre pacientëve pa ardhur rezultatet laboratorike. Rezultatet sipas të dhënave që i ka dhënë Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik duhet së paku 48 orë me pritë. Pacientët gjithsesi që duhet të qëndrojnë në klinikë duhet të observohen dhe në momentin që ne e vlerësojmë se gjendja e tyre është më e mirë do t’i lejojmë të shkojnë në shtëpi”, tha ajo.
Dje gjatë numërimit të votave të ardhura nga Serbia, zyrtarët e KQZ-së, janë ankuar për kundërmim, që vinin nga zarfet dhe për një alergji. Për këtë arsye është pezulluar verifikimi i këtyre votave, dhe votat tjera nga diaspora sot janë dërguar nga Ministria e Infrastrukturës në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.
Top Channel