Vendimi i Bashkimit Europian për fillimin e negociatave të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë vjen në një kohë kur blloku po përballet me sfida të shumta.

Sidoqoftë, çështjet para nesh si Brexit, migracioni, paqëndrueshmëria në rajon, fillimi nga puna i Komisionit të ri Europian, nuk duhet të na shpërqendrojnë nga ato që BE ka mundur të arrijë në Ballkanin Perëndimor – dhe atë që ne ende mund të realizojmë duke iu përmbajtur ndaj angazhimeve që kemi bërë në rajon.

Njëzet vjet më parë, luftërat e përgjakshme dhe shkatërruese pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë më në fund mbaruan. Pjesë të rëndësishme të rajonit kanë mbetur rrënoja. Vendet e reja të Ballkanit Perëndimor dhe shoqëritë e tyre u shkatërruan dhe u duhej një dorë për të dalë nga situata e vështirë në të cilën ishin zhytur.

BE-ja, në vetvete rezultat i një projekti paqeje, kuptoi se për të stabilizuar këtë pjesë të Europës duhej të motivonte qeveritë e vendeve të Ballkanit Perëndimor për të rindërtuar, reformuar dhe demokratizuar shtetet dhe shoqëritë e tyre. Rajoni gjithashtu duhej të bashkohej rreth qëllimit të përbashkët që do të nxiste bashkëpunimin dhe do të lehtësonte pajtimin. Kjo është edhe arsyeja që vendimi i mençur për të premtuar perspektivën e anëtarësimit në BE në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor u mor në Samitin e Selanikut në 2003 – vetëm disa muaj pasi në Athinë ishin nënshkruar traktatet e pranimit me 10 shtete të reja anëtare të BE-së.

Ky angazhim historik, i përsëritur në samitin e BE-BP në Sofje, në maj 2018, rikonfirmoi vendosmërinë e BE për të përhapur stabilitet, siguri, demokraci dhe prosperitet në të gjithë kontinentin për sigurimin e një të ardhmeje të përbashkët europiane.

Sot, 16 vjet pas Selanikut, ne jemi të gëzuar të shohim se zgjerimi ka provuar të jetë një nga politikat më të suksesshme të BE-së. Progresi i bërë nga vendet e Ballkanit Perëndimor është mbresëlënës. Ato kanë transformuar ekonomitë, gjyqësorin, administratën publike dhe aparatin e sigurisë.

Sidoqoftë, nuk duhet të harrojmë se ky përparim nuk do të ishte i mundur pa perspektivën e qartë të anëtarësimit në BE. Qëllimi i anëtarësimit në BE shërben si një motivues i fuqishëm për qeveritë dhe qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor për kryerjen e reformave të dhimbshme, por të nevojshme. Ne nuk mund të jemi të pavëmendshëm ndaj këtij realiteti dhe të kërkojmë justifikime për të mos ecur përpara me procesin e integrimit në BE.

Ndërsa BE-ja pritet të vendosë nëse do të fillojë bisedimet e pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, është e rëndësishme të theksohet se të dy vendet kanë përmbushur kriteret që BE-ja përcaktoi për ta duke kryer reforma të brendshme të ndërlikuara.

Për më tepër, Maqedonia e Veriut ka përfunduar marrëveshjen historike të Prespës me Greqinë, duke zgjidhur mosmarrëveshjen e gjatë për çështjen e emrit.

Në njohje të këtij progresi mbresëlënës, Komisioni Europian ka lëshuar një rekomandim të pakushtëzuar në maj 2019 për të filluar negociatat për anëtarësimin në BE me të dy vendet.

E megjithatë, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë ende në pritje të dritës jeshile nga qeveritë kombëtare të BE-së. Fillimi i bisedimeve të pranimit është një hap i rëndësishëm në rrugën e anëtarësimit në BE, por ai nuk duhet të ngatërrohet me vetë anëtarësimin.

Integrimi në BE është një proces i ekuilibruar i bazuar në meritë që synon të ndihmojë vendet e Ballkanit Perëndimor të kryejnë reforma dhe të përgatiten për anëtarësim në BE duke përmirësuar cilësinë e jetës së qytetarëve të tyre.

Gjithashtu, është një zgjedhje e përbashkët strategjike e BE-së dhe partnerëve të saj në rajon. Përfshirja e Ballkanit Perëndimor në union është në interesin politik, ekonomik dhe të sigurisë së BE-së. Negociatat janë një proces afatgjatë që do t’i japë BE-së hapësirë të gjerë për shqyrtimin e reformave të vendeve kandidate, përfshirë ato në fushën thelbësore të ligjit të së drejtës.

Vitet e nevojshme për të përfunduar bisedimet e pranimit do t’i ofrojnë BE-së kohën e  mjaftueshme për të diskutuar dhe prezantuar në tërësi ndryshimet e nevojshme për funksionimin e rregullt të BE-së para dhe pas pranimit të anëtarëve të rinj.

Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë duke pritur me padurim fillimin e një faze të re të procesit të integrimit në BE.

Koha është shumë e përshtatshme për të marrë një vendim të guximshëm për të ardhmen e jo vetëm këtyre dy vendeve, por edhe të gjithë Ballkanit Perëndimor, dhe të BE-së gjithashtu.

Një vendim pozitiv do të dërgojë një sinjal të qartë se BE-ja ka njohur rezultatet konkrete lidhur me përmbushjen e kushteve të përcaktuara. Unioni do t’i sigurojë rajonit një impuls të ri për reforma dhe transformime të mëtejshme.

Duke i mundësuar Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë që të ndërmarrin hapin tjetër në procesin e integrimit, BE-ja do të rikonfirmojë angazhimin e saj për stabilitetin, sigurinë, demokracinë dhe prosperitetin e rajonit. Dhe do të pranojë faktin se vetëm përmes integrimit të Ballkanit Perëndimor, BE-ja mund të jetë e plotë dhe interesat e saj afatgjata të mbrohen siç duhet”, përfundon opinioni i ministrave të Jashtëm të Vishegradit.

*Ky koment është publikuar në ‘Politico.eu’ nga ministrat e Jashtëm të Polonisë, Republikës Çeke, Sllovakisë dhe Hungarisë (Grupi i Vishegradit).

Top Channel