NATO-ja po nxit Turqinë që të ushtrojë vetëpërmbajtje në inkursionin në Sirinë verilindore.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg e pranoi se Turqia ka shqetesime legjitime sigurie lidhur me luftëtarët kurdë të Sirisë, por paralajmëroi se ofensiva mund të vinte në “rrezik” përparimin e bërë kundër grupit terrorist Shteti Islamik.
Zoti Stoltenberg foli në një konferencë për shtyp në Stamboll me Ministrin e Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu. Zoti Cavusoglu tha se Turqia pret solidaritet nga NATO-ja lidhur me kërcënimet me të cilat përballet.
Turqia ka njoftuar për viktimën e parë mes radhëve të ushtrisë, tre ditë pasi filloi inkursionin në Siri. Ministria e Mbrojtjes tha se tre ushtarë të tjerë janë plagosur, pa dhënë detaje të mëtejshme. Ka pasur njoftime edhe për viktima civile, por shifrat është vështirë të konfirmohen.
Të premten pati njoftime për shpërthime në qytetet kufitare siriane të Ras al Ainit dhe Tel Abyadit, ndërsa vazhdonte ofensiva ushtarake turke.
Komiteti Ndërkombëtar i Shpëtimit thotë se 64 mijë vetë janë zhvendosur dhe qindra-mijëra të tjerë mund të bëhen të pastrehë së shpejti. Të dyja palët njoftojnë për vdekje mes civilëve, ndërsa mortajat hidhen nga përtej kufirit në Turqi.
“Avionët turq kanë goditur nga ajri, tha Diyar Ahmed, një zëdhënës i qeverisë autonome kurde në verilindje të Sirisë në një deklaratë të enjten. Në të njëjtën kohë, goditjet me artileri të rëndë nuk janë ndalur dhe ata nuk po e ndalin zjarrin ndaj fshatit dhe ka civilë të plagosur dhe të vrarë”.
Turqia thotë se po lufton për të vendosur “një zonë të sigurt” mes kufijve të saj dhe Forcave Demokratike Siriane të udhëhequra nga kurdët, një grup që Turqia e konsideron organizatë terroriste.
Grupi kishte mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, por të hënën Presidenti Donald Trump deklaroi papritur tërheqjen e forcave amerikane nga Siria verilindore, duke shkaktuar kaos në rajon.
Shtetet e Bashkuara fillimisht ndërmjetësuan për një version të zonës së sigurt në gusht dhe ranë dakord ta patrullonin me trupat turke, duke ndarë praktikisht Turqinë nga Forcat Demokratike Siriane, të cilat Turqia i konsideron njëlloj si PKK-në, një grup esktremist që ka kryer sulme në Turqi për dekada me radhë. PKK-ja është përcaktuar si grup terrorist edhe nga Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera.
Me largimin e forcave amerikane, Turqia deklaroi nuk mund “të priste asnjë minutë më shumë” për të filluar ato që i përshkroi si operacione anti-terrorizëm.
Trupat e Forcave Demokratike Siriane u zhvendosën në veri të zonave kufitare, duke i lënë qytetet, kampet dhe burgjet më të ekspozuara ndaj sulmeve të ISIS-it. Presidenti Trump u kritikua ashpër nga mbështetësit dhe kundërshtarët për braktisjen e aleatëve kurdë kundër ISIS-it në Siri, që humbën 10 mijë luftëtarë nga radhët e tyre në luftime me grupin militant.
Qeveria turke thotë se miliona refugjatë që janë tani në Turqi do të vendosen në zonën e sigurt, ndërsa udhëheqësit kurdë thonë se vetëm refugjatët që janë nga ajo zonë e Sirisë do të lejohen të kthehen, nëse kontrollojnë zonën.
Rishfaqja e Shtetit Islamik
Që kur zoti Trump deklaroi fillimisht planet për t’u tërhequr nga Siria vitin e kaluar, ekspertët kanë paralajmëruar se largimi i Shteteve të Bashkuara do të fuqizonte militantët e Shtetit Islamik. Dhe megjithëse militantët nuk kanë nën kontroll territor gjeografik, ata vazhdojnë të kryejnë sulme në zonat e kontrolluara nga SDF.
Në qyteti e Raqqa-s, dikur “kryeqyteti” i ISIS-it, banorët lokalë thonë se ISIS-i mund të kthehet në çdo kohë nëse forcat e sigurisë nuk janë vigjilente.
Pasi Turqia njoftoi për planet e saj ushtarake, SDF-ja i tërhoqi trupat nga Raqqa dhe qytete të tjera dhe e reduktoi sigurinë përreth burgjeve të Shtetit Islamik dhe kampeve ku janë dhjetra-mijëra luftëtarë dhe familjet e tyre. Që atëherë ka pasur njoftime për deri tre sulme vetëvrasëse me bomba në Raqqa.
Dhe ndërsa zoti Trump thotë se Turqia do të marrë përgjegjësi për të burgosurit e Shtetit Islamik, nuk është e qartë se në ç’mënyrë duke pasur parasysh se ata mbahen aktualisht nga SDF-ja shumë më në jug të kufirit, sipas Grupit Ndërkombëtar të Krizave. Grupi thotë se konflikti mund të përfshijë edhe vende të tjera dhe Ushtrinë Siriane, duke e intensifikuar përsëri luftën civile në vend.
“Por cilido qoftë skenari, mundësitë që ISIS-i të rigjallërohet dhe të përhapë ndikimin e tij, do të shumëfishohet në proporcion me rritjen e dhunës dhe kaosit”, thuhej në një deklaratë GNK-së të enjten./VOA
Top Channel