Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi nga detyra kandidatin e radhës për në SPAK, i cili kryesonte gjithashtu Shoqatën e Prokurorëve në vend. Ndini Tavani u shkarkua për 2.5 milionë lekë të ardhura nga puna e dikurshme si avokat, edhe pse për 1.6 milion lekë vetë KPK deklaroi se justifikoheshin.

Ndini Tavani, që u votua në listën e atyre që synonin SPAK, njihet si prokurori që hetoi ish-ministrin Spiro Ksera, një hetim që mes rasteve fare të pakta të drejtësisë, mbylli në burg një zyrtar të nivelit të lartë. Por aktualisht SPAK është disa stacione larg, pasi tre kandidatë presin vetting-un, ndërsa tetë të tjerë, të konfirmuar me vendim të formës së prerë, presin KLP-në.

Por edhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë është në pritje të vendimit të Gjykatës për një sfidë tjetër siç po kthehet çështja e Prokurorit të Përgjithshëm. Pavarësisht kësaj, këshilli ka ngecur në miratimin e metodologjisë, ku anëtarët duhet të shpjegojnë pikët që do japin për çdo konkurrent.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë dështoi për miratimin e metodologjisë.

Por Këshilli në fakt ka miratuar më herët një rregullore në të cilën jepen detaje për pikët dhe kriteret në të cilat kandidatët do marrin pikë edhe për profesionalizimin, zotërimin e gjuhëve të huaja apo angazhimin në aktivitete bamirësie.

Rregullorja thotë se akuza do të ketë një Prokuror të Përgjithshëm që do të vlerësohet jo vetëm për mënyrën si ka hetuar apo për gradat që mban, por edhe për reputacionin që gëzon në shoqëri. Mes pretendentëve Arta Marku, Fatjona Memçaj dhe Olsian Çela, por edhe Lulzim Alushajt që kërkon të rifutet në garë, duket se kush do të ketë namin më të mirë do marrë pikët maksimale prej dy pikësh dhe kush më pak do i jepet një pikë. Jo vetëm kaq, por ai konkurrent që veç punës në kohën e lirë do vërtetojë që ka marrë pjesë në aktivitete kulturore dhe bamirësie do vlerësohet nga një deri në dy pikë. Përjashtoi vonesat gjatë procesit për postin e kryeprokurorit, së paku për pretendetet kjo medalje ka anën e saj të mirë. Po u jep atyre kohë që të shfaqen në jetën socio-kulturore për ta përdorur më pas në dobi të garës.

Anila Hoxha

Top Channel