Partitë Popullore Europiane dërguan një mesazh të fuqishëm pro çeljes së negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Europian.

PPE i kërkon Komisionit Europian dhe gjithë familjes europiane që të mos i rrëzojnë shpresat e dy vendeve.

“Javën e ardhshme, shtetet anëtarë të BE-së do të përballen me një zgjedhje strategjike përsa i takon hapjes së negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Përpara këtyre vendimeve thelbësore, presidenti i PPE-se, Joseph Daul shprehu mbështetje për fillimin e bisedimeve për të dyja vendet“, thuhet në letër.

“Politika e zgjerimit”, vazhdon dokumenti, “ ka qenë një prej mjeteve më të suksesshme në përpjekjet për të sjellë paqe dhe stabilitet në kontinentin tonë. Vendimi që do të merret nga vendet anëtare do të ndikojë jo vetëm stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin e Ballkanit Perëndimor, por edhe të të gjithë kontinentit në tërësi.

Është koha të dërgojmë një mesazh të fuqishëm dhe t`i qëndrojmë angazhimeve tona në rajon. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, kanë shënuar progres në bazë të kërkesave që u janë bërë për çeljen e këtij procesi. Edhe pse ka ende shumë punë për të bërë, çelja e negociatave mbetet hapi i ardhshëm i natyrshëm“, thuhet më tej në letër.

“Qytetarët dhe sidomos të rinjtë në të dy këto vende e meritojnë një perspektivë europiane pasi ajo mbetet burim motivimi për këto vende dhe rajonin më gjerë, në mënyrë që të vazhdojnë reformat e nevojshme për zbatimin e shtetit ligjor, forcimin e gjyqësorit, luftën kundër korrupsionit, përmirësimin e marrëdhënieve fqinjësore dhe garantimin e pavarësisë së medias“, theksohet në letrën e PPE-së.

Top Channel