Universiteti Europian i Tiranës festoi suksesin e diplomimit të brezit të dhjetë të studentëve të ciklit master.

Të diplomuarit e Masterit të Shkencave por edhe atij Profesional, nga të pestë Fakultetet e UET, në praninë e të ftuarve të nderit, pedagogëve dhe familjarëve të tyre, kanë festuar përmbylljen e rrugëtimit të tyre në përplotësimin e dijeve.

“Ju jetoni vërtetë në një kohë që ne e kishim ëndërruar. Më parë jo vetëm që nuk shkonin të gjithë në shkollë, por nuk shkonin as atje ku donin. Ju keni zgjedhur degët dhe profesionet që do t’i ndiqni me dëshirë, nuk ju kanë imponuar e as nuk ka vendosur dikush tjetër për ju, kështu që vazhdoni ëndrrën tuaj!”, shprehet Nevila Nika.

Për herë të parë këto programe u hapën në UET në vitin 2009, një iniciativë e guximshme që erdhi pas tri viteve të themelimit, me qëllim krijimin dhe përforcimin e standardeve të cilësisë në edukim.

Diplomimi i këtij brezi përkon me një etapë të veçantë të universitetit, atë të dekadës së dytë, në të cilën oferta akademike është zgjeruar dhe ka përfshirë tashmë pesë fakultete. Me pothuajse të gjitha degët që përmbushin pritshmëritë e profesionistëve të së ardhmes, UET bëhet i pari universitet privat në vend që ofron një gamë kaq të gjerë disiplinash studimi.

Top Channel