Derisa Lëvizja Vetëvendosje po pret mbledhjen e kryesisë për konsultim lidhur me marrëveshjen për bashkëqeverisje me Lidhjen Demokratike të Kosovës, kjo e fundit shtroi kërkesë për rinumërim votash.
Por, pretendimet e tyre si dhe PDK-së e koalicionit Nisma- AKR- PD se kishte humbje votash shkak i problemeve të formularëve u hodhën poshtë nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtesa si të palejuara.
Si rrjedhojë, votat e qytetarëve nuk do t’i nënshtrohen rinumërimit. Por, vështirësi për ndërtimin e Qeverisë, Vetëvendosjes po i del edhe nga komunitetit serb.
Kreu i subjektit më të votuar në zgjedhjet e 6 tetorit, Albin Kurti po refuzon krijimin e Qeverisë me anëtar të Listës Serbe, parti kjo e vetmja që arriti ta kaloj pragun në mesin e 14 partive të komuniteteve.
Kurti gjatë deklarimeve për media tha se do të ketë ministra serb në qeverinë e tij, por jo nga Lista Serbe, por edhe për këtë sipas Kushtetutës së Kosovës i duhet pajtimi i kësaj partie.
Kurtin gjatë ditës e ka vizituar ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Philip Kosnett, i cili ka kërkuar vazhdimin e dialogut me Serbinë, përderisa Kurti ka thënë se nuk do të ngutet.
Top Channel