Rezultati i zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 6 tetorit në Kosovë, u përcoll në mediat e huaja thuajse në të njëjtën frymë: fitorja e Vetëvendosjes dhe LDK-së pas saj janë parë si tregues i dëshirës së kosovarëve për një frymë të re në politikë.
Kësaj ideje i mëshojnë dhe analistët vendas, të cilët e interpretojnë vendimin e qytetarëve të Kosovës si kërkesë për ndryshime rrënjësore në qeverisje. Profesori universitar, Behlul Beqaj tha për KosovaPress, se zgjedhjet e së dielës dëshmuan vullnetin për ndryshim.
Sipas analistit politik, Ramush Tahiri, fitorja e VetëVendosjes nuk ishte dhe aq e papritur, pasi ajo prej pesë-gjashtë vitesh siç thotë ai ka pasur rritje, dhe ka shtuar mbështetjen sidomos në mesin e të rinjve dhe në komunat e mëdha.
“Populli duket ka votuar për ndryshim, sepse partitë opozitare i mundën thellë partitë në pushtet. Por edhe një ndryshim është partitë që kanë ardhur nga lufta kanë mbetur në opozitë. Duket se ka qenë kohë e mjaftueshme e qeverisjes që populli ta heqë nostalgjinë e meritave dhe të votojë për ata që i konsideron që e çojnë Kosovën përpara”, shprehet ai.
Vetëvendosjes dhe LDK-së, ato që ekspertja Vilma Filaj-Ballvora i cilëson “dy parti me orientime diametralisht të kundërta”, do t’i duhet të avancojnë tani dialogun e vështirë me Serbinë. Ndërkohë që LDK tradicionalisht ka ndjekur linjën pacifiste-diplomatike të figurës ikonë, ish-kryetarit të vet Ibrahim Rugova, kujton ajo, Vetëvendosja nën Albin Kurtin ka qenë gjithmonë kategorikisht kundër kompromiseve. Nëse do të krijohet një qeveri mes tyre, bisedimet me Beogradin nuk kanë për të qenë të lehta.
Top Channel