Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar statistikat e shëndetësisë për vitin 2018, sipas të cilës numri i të vdekurve nga sëmundjet ngjitëse ishte 63, më së shumti nga sëmundja Sepsis me gjithsej 21 persona, ose 33.3%
Sipas ASK-së, ky publikim ofron të dhëna për numrin e përgjithshëm të të punësuarve në institucionet publike shëndetësore sipas gjinisë, shkallës së arsimimit të tyre, të dhëna për personat e licencuar për t’i kryer aktivitetet shëndetësore në institucionet shtetërore ose private në Republikën e Kosovës.
Po kështu, ky publikim ofron të dhëna për aktivitetet e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), aktivitetet e spitaleve të përgjithshme, vizitat në Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare, institucionet private të licencuara, shërbimet paraklinike, të sëmurit me TBC, sëmundjet ngjitëse, etj.
Numri i rasteve të identifikuara dhe të trajtuara me sëmundje malinje dhe beninje, sipas ASK-së, gjatë vitit 2018, ishte 2 475 raste, ndërsa numri më i madh i të prekurve me sëmundje malinje dhe beninje i përkiste grup-moshës 60-64 vjeç, me gjithsej 392 raste, ose shprehur në përqindje 15.9%.
Ndërkohë, nga gjithsej 1 592 institucione private shëndetësore të licencuara, numrin më të madh e përbëjnë ambulancat stomatologjike me 418, ose 26.25%, e numrit të përgjithshëm të institucioneve të licencuara private.
Top Channel