Gati 20 fëmijë të ciklit 9-vjeçar të fshatit Vinokash në Bashkinë Këlcyrë ecin në këmbë 8 kilometra për të shkuar në shkollë.

Rruga e papërshtatshme i detyron nxënësit që në ditë me shi të ecin një orë e gjysëm rrugë në këmbë për të shkuar në shkollë dhe anasjelltas. Arsyeja është se në ditë të tilla, rruga bëhet e pakalueshme për mjetet që dërgojnë fëmijët në shkollën “Zyrihana Xhako” të Ballabanit. E vetmja zgjdhje që u mbetet në ditë të tilla është që këto 8 kilometra t’i bëjnë me këmbë për mos të humbur asnjë ditë shkollë.

Gjatë kësaj rruge të largët fëmijët e moshave të ndryshme duhet edhe të shoqërohen nga një maxhoren për shkak të largësisë dhe vështirësisë së rrugës që ata përshkrojnë. Sidomos kur ka reshje të shumta kjo rrugë paraqet rrezikshmëri të lartë për jetën, pasi kalon buzë liqenit të këtij fshati.

Në “Fiks Fare” u ankuan prindërit e fëmijëve të cilët edhe pse kanë kërkuar pa pushim pranë bashkisë që të rregullohet rruga, nuk është bërë asgjë.

“Nuk kërkojmë gjë të madhe , vetëm t’i hidhet pak çakull që të behët e kalueshme nga makinat”- shprehen ata.

Kamera e emisionit “Fiks Fare” i shoqëroi një ditë për në shkollë, ku gazetarët iu bashkuan grupit të fëmijëve, për të parë nga afër vështirësitë e rrugës dhe mbi të gjitha lodhjen e madhe që ndjejnë këta fëmijë kur bëjnë gjithë këto kilometra në këmbë.
Edhe drejtoresha e shkollës ” Zyrihana Xhako” e pranon faktin se fëijët prej disa javësh e përshkrojnë rrugën në këmbë të të shkuar në shkollë për shkak të rrugës mjaft të amortizuar.

Edhe pse Drejtoria Arsimore e bën detyrimin financiar prej 70 lekësh për çdo prind për transportin e fëmijëve përsëri këta fëmijë mbeten në këmbë, pasi shiu i ditëve të fundit e ka bërë rrugën e pakalueshme për mjetet.

Në këto kushte gazetarët iu drejtuan njësisë administrative për të kërkuar informacion se çfarë do të bëhët me këtë rrugë. Administratori i cili është në dijeni të situatës premtoi gazetarëve të Fiksit se brenda një harku kohor prej 4-5 ditësh do ndërhyet në këtë rrugë, konkretisht duke i hedhur çakul në pjesët më problematike të saj.

Hedhja e çakullës në zona më problematike të rrugës, mund të normalizojë deri diku situatën për ta berë atë të kalueshme nga mjetet. Por nëse nuk ndërhyhet në gjithë gjatësinë e saj, këta fëmijë pas pak kohësh do të detyrohen sërisht të ecin për kilometra të tëra për të marrë dije.

FOTO GALERI
5/6

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA