Sistemi arsimor në Kosovë ka marrë goditje nga institucionet evropiane.
Është Agjencia Kosovare e Akreditimit, e cila është përjashtuar nga Asociacionit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë, në të cilën ishte anëtarësuar para 5 vjetësh.
Ndërhyrja politike nga ministri në detyrë i Arsimit, Shyqyri Bytyqi në vitin 2017, kur shkarkoi bordin me kërkesë të kryeministrit, duke e larguar këtë agjenci fillimisht nga Regjistri Evropian i Sigurisë të Cilësisë për Arsimin e Lartë.
Një veprim i tillë ishte pikënisja e rrugëtimit prapthi të Agjencisë.
Këshilli Shtetëror i Cilësisë e ka cilësuar të drejtë vendimin e asociacionit evropian, duke drejtuar gishtin tek politika si fajtorja kryesore për gjendjen e krijuar.
“Është brengosëse që AKA-ja vazhdimisht është përballur me mungesën e mbështetjes, mungesë të burimeve njerëzore, pavarësi të cunguar, që ka pamundësuar fuqizimin dhe llogaridhënien e AKA-së. KSHC që në fillim të marrjes së mandatit, më saktësisht në prill të vitit 2018 deri më sot, ka vërejtur të gjitha gjetjet e ENQA-s dhe aktualisht është duke i adresuar. Në këtë rrugëtim vendimmarrësit nuk kanë ofruar mbështetje domethënës, siç janë ndërhyrjet politike në akreditim, mungesa e drejtorit/es së AKA-së, ndryshime të shpeshta në Udhëzimin Administrativ për Akreditim si dhe interpretime ligjore kontradiktore nga institucionet përkatëse”.
Përderisa pa asnjë informacion ka qenë Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, e cila ka thënë të ketë mësuar për përjashtimit nga mediat.
Nga ana tjetër, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka fajësuar qeverinë aktuale për situatën e krijuar.
“Të qenit anëtar i kësaj organizate nuk ishte vetëm një arritje e madhe për institucionet e Kosovës, por edhe shumë e rëndësishme për të lehtësuar levizshmërinë për studentët dhe të rinjtë e kualifikuar të Kosovës. Ndërprerja e anëtarësimit është një kthim prapa dhe pasojë e drejtpërdrejtë e politikave jo të shëndosha në të kaluarën, siç ishte vendimi i Qeverisë në shtator të vitit 2017 për të shkarkuar të gjithë Bordin e Agjencisë pa arsyetimin e duhur”, thuhet në reagimin e zyrës së BE-së.
Ekspertët e arsimit parashikojnë telashe të mëdha për studentët, të cilëve u duhet verifikimi i diplomave.
Për t’u bërë pjesë e këtij Asociacioni Kosova ishte ndihmuar nga miqtë ndërkombëtar, duke kaluar pengesat e Serbisë.
Top Channel